MAQEDONI
Zjarrfikësit shënojnë 20 majin
20.05.2014 17:35
Një profesion human, profesion ku njeriu është i gatshëm të flijojë veten për të shpëtuar të tjerët...

Një profesion human, profesion ku njeriu është i gatshëm të flijojë veten për të shpëtuar të tjerët, të tillë janë zjarrfikësit.
Ata edhe në ditën kur llogaritet si festë, kanë improvizuar pjesë nga përditshmëria e tyre vetëm e vetëm të tregojnë se ata kurrë nuk pushojnë.
Secili shtet ka një ditë që ua kushton zjarrfikësve, ndërkohë te ne kremtohet më 20 maj, pasi në këtë ditë, për herë të parë është themeluar “Njësia e Zjarrfikësve” në Manastir.
Nëse bëhet një komperacion me zjarrfikësit në perëndim, me aftësitë mund të themi se jemi paralel, mirëpo teknika, shkenca dhe teknologjia janë shumë më para te ata, për atë mund të themi se ne ngecim prapa, theksojnë zjarrfikësit tanë.
“Është një ditë gëzimi, është një ditë feste për ne zjarrfikësit edhe pse nuk jemi të kënaqur me statusin, shpresojmë që dalëngadalë të përmirësohet statusi ynë dhe të vijë në atë shkallë si në perëndim”, theksoi zëvendëskomandanti i Çetës së Tretë të Zjarrfikësve në Brigadën e qytetit të Shkupit, Nuredin Mustafa.
“Punoj 32 vite punë efikase, ballafaqohem me një profesion të vështirë, ballafaqohemi me rreziqe të mëdha, jemi të ngarkuar sidomos në lagjet substandarde si: Gazibabë, Serovë, ku gjithmonë kemi vështirësi edhe me rrugët edhe me të gjitha punët e tjera”, u shpreh zjarrfikësi Xhevat Ibraimi.
Shembull tipik i humbjes së jetës së një zjarrfikësi është edhe i ndjeri Bajram Miftari, ku tashmë këtë emër e gëzon Shoqata Vullnetare që vepron në komunë të Çairit. Nga kjo Shoqatë, në ditën e zjarrfikësve, bëjnë apel që të çmohet më shumë puna e tyre.
RINA TURKESHI-SAITI
