Botë

Kosovë, shënohet 18 vjetori i sulmeve të NATO-s

24.03.2017 19:54

Në Kosovë sot përkujtohet 24 marsi i vitit 1999, që shënon fillimin e sulmeve të NATO-së mbi forcat serbe në Kosovë dhe Serbi...

Në përvjetorin e 18 të fushatës ajrore të Aleancës Veriatlantike, kryeministri, Isa Mustafa, ka shprehur mirënjohjen e përjetshme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar “dhe për të gjitha vendet e tjera të NATO-s, të cilat na u gjenden pranë në momentet më të vështira”.

“Nisja e fushatës ajrore të Aleancës Veriatlantike më 24 mars 1999 është ditë historike për Kosovën, për NATO-n, por edhe për konceptin modern të lirisë dhe domosdoshmërisë së mbrojtjes së saj nga regjimet kriminale”,- ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kryeministri Mustafa ka thënë se partneriteti strategjik dhe koordinimi në çdo hap i Kosovës me ShBA-në dhe miqtë euroatlantikë “janë formula e suksesit tonë të përbashkët në të ardhmen”.