Gjykata Supreme: Paraburgimi i Edmond Temellkos ka qenë ligjor

27.03.2017 14:12

Këshilli Penal i Gjykatës Supreme, i përbërë nga pesë gjykatës supremë....

Këshilli Penal i Gjykatës Supreme, i përbërë nga pesë gjykatës supremë, vendosi se privimi nga liria i kryetarit të Komunës së Pustecit, Edmond Temelko, më 12 shkurt vitin e kaluar, në kërkesë të Prokurorisë Publike Speciale, ka qenë ligjor, njofton TVM2.

Paraprakisht, mbrojtja akuzoi prokurorinë publike speciale se bën akuza të pabazuara ligjërisht për privimin e tij nga liria. Edhe Gjykata Themelore nuk miratoi masë paraburgimi për Edmond Temellkon, njëri nga të dyshuarit kryesorë në hetimin e parë të  PPS-së, nën emrin e koduar “Titanik”, që ka të bëjë me dyshimet për parregullsi zgjedhore në vitin 2013.

Prokurorja speciale, Katica Janeva në fazë të hershme të procedurës kërkoi që Gjykata Supreme të vendosë nëse ka pasur të drejtë  prokurori i PPS-së në rastin e arrestimit të Temellkos, ose nëse e drejta është në anën e Gjykatës Penale, që pretendon se i dyshuari është privuar në mënyrë joligjore nga liria.

Dhe supremja vendosi se prokurori i PPS-së, në 12 shkurt të viti të kaluar, ka zbatuar ligjin në mënyrë të drejtë.

“I dyshuari ka shtetësi të dyfishtë, ka dy pasaporta, një të Maqedonisë dhe një të Shqipërisë, dhe kjo ka bërë që prokurori të dyshojë se Temellko mund t’i ikë drejtësisë”,- arsyetojnë vendimin  gjykatësit e supremes që votuan pro kërkesës së PSP-së.

Vendimi është sjellë para dy muajsh, por akoma  nuk është nënshkruar dhe publikuar. Vendimin duhet ta nënshkruajë kryetarja e atëhershme e Këshillit Penal, Lidija Nedellkova.

Në rastin “Titanik” janë të dyshuar anëtarë të kryesisë së lartë dhe komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, katër anëtarë të KShZ-së, pesë gjykatës në Gjykatën Administrative dhe anëtarë të Komisionit Zgjedhor në Komunën e Çairit. Para një muaji, PPS-ja zgjeroi hetimin për 17 persona të tjerë. (Meral Ismaili, TVM2)