Bullgari, e djathta i fiton zgjedhjet
Partia properëndimore, Gerb, e qendrës së djathtë e ish-kryeministrit, Bojko Borisov, ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari...

Ajo siguroi 32,63 për qind të votave kundrejt 26,8 për qind që morën rivalët socialistë me orientim pro-rus.
Ndonëse nuk mori shumicën për të formuar i vetëm qeverinë, Borisov pritet të bëhet për herë të tretë kryeministër dhe të bashkëpunojë me disa parti të vogla.
Në parlament kanë hyrë aleanca nacionaliste, Patriotët e Bashkuar, me 9,2 për qind të votave, një parti e minoritetit turk dhe një tjetër populiste.
Zgjedhjet e së dielës u ndoqën me interes nga BE për drejtimin që do të merrte vendi, pasi Partia Socialiste ishte shprehur për përmirësim të raporteve me Moskën.
Bullgaria është vendi më i varfër i unionit dhe korrupsioni mbetet një nga problemet kryesore.
