Hapja e Rutës ballkanike, “Legis”: Nuk kemi kapacitet të përballemi, Kriza e migrantëve, duhet bashkëpunim i të gjitha vendeve
Nëse Turqia fillon të lëshojë 30-50 mijë migrantë në ditë por Greqia refuzon t’i pranojë.....

Nëse Turqia fillon të lëshojë 30-50 mijë migrantë në ditë por Greqia refuzon t’i pranojë, situata në vendet e të ashtuquajturës Ruta ballkanike do të vështirësohej seriozisht, paralajmërojnë nga Shoqata Qytetare “Legis”. Nga kjo shoqatë përkujtojnë se Maqedonia hasi në vështirësi në tetorin e 2015, kur për 24 orë në vend hynë 13 mijë migrantë. Për ta, nëse vendimi për mbylljen e Rutës ballkanike ishte vendim politik i BE-së për të shpëtuar veten nga dyndja e migrantëve, edhe vendimi për hapjen e të njëjtës do të ishte vendim politik nga ana e Turqisë dhe BE-së.
“Greqia duhet të tregojë se nuk do t’i pranojë, në kuptimin e asaj se nuk mundet të përballet me ta, por sikur herën e parë që nuk i pyetën dhe nëse ndodh hera e dytë që mos t’i pyesin, askush nuk mundet që të ndalojë me anijet e veta dhe të ndërtojë mur në detit Egje dhe t’i ndalojë njerëzit që të kalojnë. Maqedonia nuk ka kapacitet që të ndalë gjithë atë valë të migrantëve, ne vetëm duhet të punojmë në atë se si në mënyrë më efikase ata njerëz të kalojnë në Europë”,- u shpreh kryetari i Shoqatës Qytetare “Legis”, Jasmin Rexhepi.
Kompetentët thonë se është i nevojshëm një bashkëpunim më i madh për t’u përballur me krizën e migrantëve. Përvojat tregojnë se mungojnë koordinimet dhe solidariteti, ndërsa aspekti i sigurisë dhe ai humanitar janë lënë mënjanë. Periudhën e kaluar rreth 600 mijë migrantë kanë kaluar përmes Maqedonisë.
“Vala e migrantëve në periudhën e vitit 2015-2016 ka kapluar Europën, ndërsa Republika e Maqedonisë ishte pjesë e të ashtuquajturës Rruga e Ballkanit Perëndimor dhe tregoi një sërë dobësish në përballje me situatën, por këto u panë jo vetëm tek ne, por në përgjithësi edhe në Europë”,- theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
“Ne që punojmë me migrantët më shumë e shohim krizën e migrantëve si krizë e përgjegjësisë dhe e solidaritetit. Qeveritë e të gjitha vendeve që bashkëpunojnë me ne ishin të prekura nga kriza e migrantëve, prandaj ishte e nevojshme të bëhej bashkëpunimi ndërmjet OJQ-ve që të mos dilte situata krejtësisht jashtë kontrollit”,- tha Franjo Shtajner nga OJQ “Qendra Multikulturore”- Vjenë. Destinacioni i fundit i njerëzve që ikin nga zonat e konflikteve apo nga shtete ku mbizotëron uria janë vendet e Europës Perëndimore, por kërkesa e vendeve të BE-së për ndërprerjen e Rutës Ballkanike ka bërë që migrantët shpesh të shfrytëzojnë rrugët ilegale për të arritur në destinacionin e ëndërruar. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
