Botë
Australi, mijëra të evakuuar nga cikloni “Debie”
27.03.2017 16:21
Banorët e zonave veriore bregdetare në krahinën Quensland në Australi kanë nisur të përgatiten për super stuhinë...

Banorët e zonave veriore bregdetare në krahinën Quensland në Australi kanë nisur të përgatiten për super stuhinë që po i drejtohet qyteteve të tyre, me mijëra janë evakuar.
Cikloni “Debbie” është vërsulur me furi drejt brigjeve australiane dhe pritet që të mbërrijë në Queensland të martën në mëngjes.
Banorët në qytezën Airlien beach nisën të mbushin thasët me rërë dhe të izolojnë dritaret e godinave, ndërsa fqinjët e tyre në qytezat e Tounsville dhe Bouen tashmë kanë lënë pas gjithçka që kishin, për t’i shpëtuar furisë së stuhisë.
Autoritetet australiane urdhëruan mbi 35 mijë njerëz që të braktisin banesat, megjithëse mediat raportojnë se disa banorë nuk kanë pranuar të largohen, duke u justifikuar se në të shkuarën shpesh janë gënjyer nga alarmet e ekzagjeruara dhe nuk kanë ndërmend që ta pësojnë sërish.
Cikloni “Debie” pritet të forcohet në një stuhi të kategorisë së katërt, me erë deri në 300 kilometra në orë. Autoritetet thanë se “Debie” mund të jetë stuhia më e fortë, që prej ciklonit “Jasi” në vitin 2011, që la pas një vazhdë shkatërrimi.
