Dita Botërore e Teatrit, aktorët: Cilësi ka, por teatri kërkon buxhet
Dita Ndërkombëtare e Teatrit, 27 Marsi, në mbarë botën shënohet me shfaqje....

Dita Ndërkombëtare e Teatrit, 27 Marsi, në mbarë botën shënohet me shfaqje dhe leximin e mesazheve për artin skenik, por për Teatrin Shqiptar kjo ditë riktheu dhe njëherë vëmendjen në problemet e teatrit.
Aktorët dhe drejtuesit e institucioneve të artit skenik pohojnë se dita botërore tregoi dhe njëherë gjendjen në të cilën ndodhet Teatri Shqiptar në Maqedoni. Financat janë problemi i përbashkët i teatrove sot.
Nuk mungojnë regjisorët, ka aktorë shumë të mirë në Maqedoni, por para ka pak. Këto forca nuk motivohen dhe nuk vihen në funksionim, ky mekanizëm nuk funksionon në momentin që s'ka para.
“Sado që buxheti i teatrit do të mund të jetë i lartë, asnjëherë nuk mjaftojnë në kuadër të ambicieve të teatrit tonë, në kuadër të buxhetit... Sigurisht që ne fillojmë që të bëjmë hesapin për të dalë një shfaqje racionalisht në kuadër të buxhetit që kemi”,- deklaroi drejtori i Teatrit Shqiptar – Shkup, Adem Karaga.
“Kemi mungesa shumë të mëdha për të funksionuar si teatër, por ja që ia dalim. Buxheti nuk është shumë adekuat për të gjitha ato shfaqje që kanë nevojë shqiptarët në vendin tonë, por ja që me atë buxhet që kemi ia dalim dhe funksionojmë që sadopak t’ia servojmë publikut shfaqjet e pakta që i kemi për të mbajtur gjallë kulturën shqiptare”,- u shpreh aktori në Teatrin e Kumanovës, Enver Halimi.
Teatri Shqiptar në Shkup ka një tjetër problem në këtë Ditë Botërore të Teatrit. Ai ende pret përfundimin e ndërtesës së tij. Kjo është dëshira e sivjetme e aktorëve.
“Nëse do të flasim se çfarë dëshirash kemi ne, dëshira jonë ishte sikur që dje të ishim në teatrin tonë, si çdo gjë e planifikuar në shtëpi që nuk del në çarshi, ne jemi dëshmitarë të kohës dhe punëve që ndodhin në shoqërinë tonë, nuk mund të them në formë decide se kur do përfundojnë punimet. Shpresoj që ky vit do na gjejë me premierë në shtëpinë tonë”,- tha drejtori i Teatrit Shqiptar – Shkup, Adem Karaga.
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Teatrit është iniciuar në Kongresin e nëntë botëror, në Institutin Internacional të Teatrit, në qershor të vitit 1961, me propozimin e teatrit të Finlandës.
Nga viti 1962, në çdo 27 mars, Dita Botërore e Teatrit festohet në mënyra të ndryshme në pothuajse njëqind qendra nacionale të ITI-së në mbarë botën dhe nga shumë anëtarë të Bashkësisë Botërore të Teatrit. (Amir Duraku, TVM2)
