Maqedoni

Kociançiç: “Përzhina”, kusht për rrugën drejt BE-së

27.03.2017 17:45

Marrëveshja e Përzhinës dhe reformat urgjente, mbeten kusht për ardhmërinë e vendit drejt BE-së. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiç...

Marrëveshja e Përzhinës dhe reformat urgjente, mbeten kusht për ardhmërinë e vendit drejt BE-së. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiç, edhe një herë ka ripërsëritur se Maqedonia mbetet e kushtëzuar deri në përmbushjen e kushteve të kërkuara.
 
Ajo nuk deshi të komentojë deklaratën e kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, sipas të cilit, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini, i ka premtuar se do të fillojnë negociatat qasëse drejt anëtarësimit në BE, nëse formohet Qeveria. 
 
“Ne nuk diskutojmë komente dhe unë nuk do të diskutoj për komentet e huaja. Por, ju jeni të vetëdijshëm se cilat janë rregullat dhe rekomandimet e Komisionit për hapjen e negociatave me vendin tuaj, të kushtëzuara me implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe prioritetet urgjente reformuese në vend. Hapja e negociatave inkuadruese kur këto kushte do të plotësohen, është vendim që do ta sjellë Këshilli”,- theksoi zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiç.
 
Kocijançiç është pyetur edhe se cila është përgjigja e KE-së ndaj letrës së një grupi intelektualësh nga Maqedonia rreth jokushtetutshmërisë  së lëvizjeve të disa politikanëve të Maqedonisë, por nuk kishte përgjigje pasi edhe zëdhënësja e KE-së edhe zëdhënësi i qeverisë joformale të BE-së, Margaritis Shinas, thanë se ende nuk kanë dijeni për një letër të tillë, por zakonisht iu përgjigjen të gjithë korrespodencës që marrin. 
 
SANIJE DURAKU