Protestat në Rusi, Kremlini nuk ndalet, vazhdojnë dënimet

28.03.2017 14:56

Pas dënimit të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny....

Pas dënimit të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, vijnë të tjera dënime për demonstratat e paautorizuara të së dielës, në të cilat policia vendase arrestoi qindra protestues.

Një gjykatë në Moskë vendosi fillimisht ta gjobisë kryeopozitarin me 350 dollarë për organizimin e protestave, por më vonë e ktheu dënimin në burgim 15-ditor. Arrestimi i Navalnit vjen një vit para zgjedhjeve presidenciale të Rusisë, ku lideri opozitar ka vendosur të sfidojë Vladimir Putinin.

Por, gjykata nuk është mjaftuar vetëm me këtë dënim. Me 10 ditë burg është dënuar edhe krahu i djathtë i Navalnit, Leonid Volkov, 25 ditë aktivisti, Nikolai Liaskin, me 7 ditë burg secili nga anëtarët e Fondacionit anti-korrupsion të themeluar nga lideri i opozitës, Konstantin Shirokov, Vladislav Mosin, Vladimir Busin, Oksana Baulina, Ekaterina Kenareva dhe Anton Glembo. Arrestimi i qindra protestuesve me argumentin se po protestonin pa leje nga Rusia është dënuar ndërkombëtarisht. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i bënë thirrje Kremlinit për lirim të menjëhershëm të tyre, por qeveria ruse u përgjigj me refuzim.