Inkluzioni social funksionon vetëm në letër, invalidët “të padukshëm” për tregun e punës

28.03.2017 15:05

Prej vitit 2000, Maqedonia ka një Ligj për punësimin e personave me invaliditet....

Prej vitit 2000, Maqedonia ka një Ligj për punësimin e personave me invaliditet, njofton “TVM2.

Por, sektori privat dhe organizatat e ndryshme, në të shumtën e rasteve, nuk dëshirojnë të punësojnë persona me pengesa invalidore.

Përveç ndërmarrjeve që marrin subvencione nga qeveria, asnjë punëdhënës tjetër nuk është i interesuar të punësojë personat me nevoja të posaçme, e këtij obligimi ligjor i bishtërojnë edhe komunat apo institucionet shtetërore.                                                                                                  

“Sektori privat punëson persona me invaliditet të ndryshëm, por këtë e bën kryesisht me shumë rezervë. Është për të përshëndetur korniza ligjore me të cilën garantohet punësimi i personave me invaliditet, por mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme për ne”,- theksoi Koce Dimov nga OJQ e Invalidëve.                                                                                                              

“Vazhdon të paraqitet problem me punësimin e personave shurdhmemecë të cilët dëshirojnë të punësohen, por që nuk arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë. Po hapen fabrika dhe vende të reja të punës, por këta persona askush nuk i punëson. Për fat të keq, jeta e këtyre personave është shumë e vështirë”,- u shpreh Vasko Markov nga OJQ e Shurdhmemecëve.                                          

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, së bashku me BE-në, punon në drejtim të përmirësimit të shërbimeve për inkluzion social të këtyre kategorive të qytetarëve. Përveç punësimit të tyre, punohet edhe në  deinstitucionalizimin e sistemit për mbrojtje sociale.                                                                                               

“Shërbimet sociale dhe përkujdesja alternative do të zgjerohet në varësi nga nevojat e personave me invaliditet, duke garantuar kështu mbrojtje më të madhe në bashkësi, respektim të të drejtave të tyre dhe jetë më të mirë”,- theksoi sekretari shtetëror në MPPS, Enver Hysein.                           

Vlerësohet se rreth 200 mijë qytetarë në Maqedoni kanë ndonjë lloj invaliditeti. Por, nuk ka një evidencë të saktë se sa prej tyre janë të aftë për punë me një aftësi të tërësishme apo të kufizuar.

Nuk ka asnjë strategji të veçantë për krijimin e mundësive të barabarta për punësimin e personave me aftësi të veçanta.

Ata gjenden në kapitujt e strategjisë kombëtare për uljen e varfërisë dhe përjashtimin social 2010-2020, por nuk janë të ndarë në mënyrë eksplicite si një grup i veçantë qëllimi në këtë dokument. (Rexhep Qamili, TVM2)