Komunikimet vetëm në duart e MPB-së, Zvërlevski kërkon ligj të ri për përgjimet
Ndjekja jolegale e komunikimeve ndikoi që vendi të përballet me krizë të thellë shoqërore....

Ndjekja jolegale e komunikimeve ndikoi që vendi të përballet me krizë të thellë shoqërore, vlerëson prokurori publik, Marko Zvërlevski, në hapjen e Konferencës ndërkombëtare për ndjekjen e komunikimeve dhe rolin e prokurorit publik në këtë proces.
Zvërlevski u ankua se ndjekja e komunikimeve është vetëm në duart e Ministrisë për Punë të Brendshme edhe pse, sipas ligjit, më shumë institucione janë të autorizuara për këtë, andaj thekson nevojën e Ligjit të ri për përgjimet.
“Të gjithë jeni të njoftuar se ndjekja joligjore e komunikimeve në Maqedoni ndikoi që shteti ynë të përballet me krizë shoqërore. Edhe pse me Ligjin për ndjekjen e komunikimeve më shumë institucione janë angazhuar për këtë, Prokuroria Publike, MPB dhe Drejtoria e Doganave, kjo mbetet vetëm në letër, ndërkaq ndjekja e komunikimeve mbetet vetëm në duart e MPB-së. Nevojitet një ligj i ri më i mirë që në të ardhmen të parandalohen keqpërdorimet”,- deklaroi prokurori publik, Marko Zvërlevski.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, tha se Maqedonia po ndjek trendet globale për përballjen me krimin e organizuar dhe në fushën e reformave të drejtës ndëshkuese.
“Masat e posaçme hetuese të definuara në ligjin e ri janë të harmonizuara me standardet ndërkombëtare dhe praktikat në këtë fushë. Aplikimi i masave të posaçme hetuese është i kufizuar dhe të njëjtat aplikohen atëherë kur do të sigurohen prova të patjetërsueshme për realizimin e procedurës penale”,- u shpreh kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski.
Në konferencën ndërkombëtare kishte vend për prokurorët e nëntë shteteve, Gjykatës Supreme, madje edhe për Këshillin e gjykatësve, por Prokuroria Publike harroi të ftojë prokurorët specialë që janë të lidhur në mënyrën më të drejtpërdrejtë me ndjekjen e komunikimeve joligjore.
PPS konfirmon zyrtarisht mungesën e ftesës, ndërsa nga prokuroria e Zvërlevskit ishin shumë të zënë me pritjen e mysafirëve dhe me diskutimet, dhe nuk dhanë sqarim përse Janeva nuk ishte e ftuar. (Meral Ismaili, TVM2)
