Maqedoni
Edukimi mediatik, Petkovka: nevojitet interaksion midis palëve; Zguri dhe Nushi: edukimi mediatik të futet në sistemin shkollor
28.03.2017 16:54
Nevojitet një bashkëpunim më cilësor midis institucioneve dhe të gjitha segmenteve profesionale...

Nevojitet një bashkëpunim më cilësor midis institucioneve dhe të gjitha segmenteve profesionale për të kontribuar në përmirësimin e njohurive te të gjitha grupmoshat lidhur me përmbajtjet mediatike që i pranojnë.
Ky është mesazhi nga raporti i hulumtimit të tetë organizatave civile kushtuar edukimit mediatik që përcolli Biljana Petkovska nga Instituti Maqedonas i Mediave, mbi të cilën debatuan përfaqësues të vendeve nga rajoni gjatë një konference të organizuar po nga ky institut.
“Të dhënat kyçe të raportit flasin për nevojën e një interaksioni më të madh midis segmenteve kyçe të shoqërisë para së gjithash, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe institucionet shtetërore në drejtim të përparimit të njohurive tek të gjitha grupmoshat e qytetarëve, duke filluar nga fëmijët deri te qytetarët e rritur dhe më të moshuarit, me qëllim që të inkurajohet mendimi i tyre kritik gjatë pranimit të përmbajtjeve mediatike të cilat i marrin nga të gjitha platformat mediale”,- deklaroi drejtoresha e IMM-së, Biljana Petkovska.
Njohuritë mbi standardet mediatike do të përmirësohen sikur e njëjta të ishte pjesë e teksteve shkollore, thotë pjesëmarrësi në konferencë nga Shqipëria, Rrapo Zguri.
“Problematike si në Shqipëri, por edhe në shumë vende të rajonit, është edukimi mediatik, që akoma nuk është bërë pjesë e teksteve shkollore, akoma nuk është bërë pjesë e sistemit të edukimit jo vetëm në Shqipëri, fëmijët, nxënësit e shkollave kanë shumë pak njohuri lidhur me mediat, në përgjithësi lidhur parimet dhe standardet mediatike”,- tha profesori i komunikimit nga Shqipëria, Rrapo Zguri.
Edhe në Kosovë po bëhen përpjekje për të ngritur nivelin në këtë drejtim, thotë pjesëmarrës në konferencë, Valon Nushi.
“Nuk ekziston një lëndë e tillë e cila do kishte mësuar fëmijët dhe adoleshentët se si ta bëjnë dallimin e lajmeve të vërteta nga gënjeshtrat. Ne jemi në proces të bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës dhe Ministrinë e Edukimit, ku jemi duke shqyrtuar mundësitë se si mundemi ta shpejtojmë procesin dhe të fusim në kurikulat e shkollës edukimin mediatik”,- u shpreh Valon Nushi nga UNICEF INOVATIONS LAB-Kosovë.
Nga Instituti Maqedonas i Mediave njoftojnë se janë bërë përpjekje për ta inkuadruar edukimin mediatik në sistemin arsimor të Maqedonisë.
NAIM RAMADANI
