PPS me ankesë: Përgjegjësi për dy gjykatëset, pengojnë procesin
Prokuroria Speciale Publike ka dorëzuar ankesë deri te Këshilli për vërtetimin e fakteve.....

Prokuroria Speciale Publike ka dorëzuar ankesë deri te Këshilli për vërtetimin e fakteve dhe vërtetimin e përgjegjësisë së gjykatëseve, Elena Ilievska Josifoviq dhe Tatjana Mihajllova, në Gjykatën Themelore Shkupi 1. Me ankesat është kërkuar që të analizohet puna e gjykatëseve të cilat sipas PPS-së e kryejnë atë në mënyrë joprofesionale dhe të papërgjegjshme. Më saktë, gjykatësja, Elena Ilievska-Josifoviq, nga Sektori për krim të organizuar, lëndët që i ka proceduar i ka udhëhequr në mënyrë tendencioze, ka keqpërdorur postin dhe i ka tejkaluar kompetencat ligjore.
Gjithashtu në shpjegim thuhet se gjykatësja ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme, me qëllim nuk i ka mbaruar në kohën e duhur, me ç’rast ka shkaktuar prolongimin e të gjithë procesit gjyqësor pa pasur mundësi ligjore. Sipas PPS-së, sjellja e këtillë e gjykatëses, Ilievska- Josifoviq, është përsëritur në më shumë raste që i ka pasur kjo prokurori. Rasti për të cilin Ilievska-Josifoviq e ka marrë këtë ankesë është për rastin “Thesari”, në të cilin i dyshuari kryesor është ish-shefi i DSK-së, Sasho Mihajllov.
Për gjykatësen, Mihajllova, ankesa ka të bëjë me rastin e dhunës në komunën Qendër, në të cilin të akuzuar janë: Nikolla Gurveski, Mile Janakieski, Daniela Rangelova dhe persona të tjerë. Në sqarimin e PPS-së thuhet se Mihajllova procedurën e ka udhëhequr në mënyrë tendencioze, sidomos në pjesën e trajtimit të njëjtë të palëve, duke shkelur në mënyrë të qëllimshme rregullat për gjykim të drejtë. Ajo gjithashtu akuzohet edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të kompetencave.
Nga PPS thonë se është e patjetërsueshme ngritja e procedurës për vërtetimin e përgjegjësisë në kryerjen e funksionit gjykatës nga ana e Mihallovës për faktin se procedura gjendet në një fazë ku i është caktuar seanca kryesore, që do të thotë se nuk është hedhur poshtë propozimi i prokurorit të PPS-së, pro edhe përkundër kësaj gjykatësja pamundëson fillimin e këtij gjykimi. (Sanije Duraku, TVM2)
