Ekonomi

50 kompani nga Maqedonia dhe Kosova shqyrtojnë mundësitë për bashkëpunim

28.03.2017 17:42

50 kompani nga Maqedonia dhe Kosova kanë pasur mundësi që të shkëmbejnë informacione dhe të shqyrtojnë mundësi për bashkëpunim...

Përfaqësues të kompanive vlerësuan se organizimi i takimeve tet-a-tet janë një rast i mirë për të krijuar partneritet në mes tyre.  
 
“Sipas meje, nuk ka kontakte të mjaftueshme dhe takimet e këtilla shërbejnë për rritjen e numrit të kontakteve dhe rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen”,- theksoi Nenad Fedanovski nga GLOBAL NET.
 
“Kam ardhur në Maqedoni me shpresën që të gjej bashkëpunëtorë, me shpresën që të gjej partnerë edhe tash po pres të hy të takohem me disa biznese, shpresoj që të merremi vesh dhe të kemi sukses”,- u shpreh Korab Krasniqi nga Kompania e Marketingut “Stratego”.      
                            
Interesi për takimet e këtilla gjithmonë ka qenë i madh, theksojnë nga CEED. Sipas të pranishmëve, kompanitë kanë nevojë që të zgjerojnë biznesin e tyre në tregje rajonale si dhe ndërkombëtare. 
 
“Interesi për takime të këtilla gjithmonë ka qenë i madh, për shkak se shkëmbimin më të madh tregtar Maqedonia e ka me Kosovën, por edhe për shkak të afërsisë së tregut të Kosovës me tregun e Maqedonisë”,- theksoi Biljana Damevska nga CEED–Maqedoni.
 
“Rrjetëzimi është diçka shumë i rëndësishëm, mund të rezultojë me një partneritet tani, por mundet të rezultojë me një partneritet pas tre viteve, domethënë e ke krijuar një kontakt, e ke krijuar një farë lidhje që ndoshta pas dy viteve të kujtohet se e ke takuar atë, e ofron një shërbim dhe pse jo, të fillojmë me biznes, pa marrë parasysh a është blerje apo shitje”,- deklaroi Asdren Xërxa nga CEED-Kosovë.
 
“Kur bëhet fjalë për tregje të vogla, pa dallim se a bëhet fjalë për kompani të reja apo kompani me përvojë, ata duhet ta zgjerojnë bashkëpunimin jashtë kufijve, sepse atje kanë më shumë mundësi”,- u shpreh përfaqësuesi i Ambasadës së Zvicrës, Stefan Tomaxhan.
 
Këto takime tet-a-tet të bizneseve nga Kosova dhe Maqedonia organizohen nga ana e USAID-it në bashkëpunim me Qeverinë e Zvicrës. 
 
ERSAN PAJAZITI