Maqedoni
Zgjedhja e Komisionit të Zgjedhjeve dhe Emërimeve; VMRO kërkon debat për “Platformën e Tiranës”; BDI: VMRO zhvendos debatin; Tufekxhiq akuzon kryesuesin se shkel Rregulloren
28.03.2017 17:56
Kuvendi vazhdoi debatin rreth propozimit për zgjedhjen e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve në frymën e një dite më parë...

Deputetët e Koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE vazhduan me fjalime, replika dhe kundërreplika për çështje që nuk kanë të bëjnë me pikën që është në rend dite.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së ftojnë në debat rreth të ashtuquajturës “Platformë të Tiranës” dhe marrëveshjes mes LSDM-së dhe BDI-së.
i deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Mirëpo shumica e re parlamentare thotë se VMRO me këtë qasje pretendon të stërzgjatë seancën konstituive dhe të pamundësojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë nga shumica e re parlamentare.
“Nga dje jam e zhgënjyer, pasi ne dalim nga debati dhe nga rendi i ditës i seancës. Dje u përmend se rendi i ditës është zgjedhja e kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Edhe fjalimi im treminutësh ndoshta u shkon në favor të atyre që humbin kohë dhe në favor të kësaj katrahure ku ndodhemi”,- u shpreh Mirsade Emini-Asani nga BDI.
“Nëse folësi largohet nga çështja, kryetari i Kuvendit duhet ta thërrasë që t’i përmbahet çështjes. Paragrafi tre thotë se nëse folësi sërish nuk i përmbahet çështjes, kryetari ia merr fjalën, në këtë rast kryesuesi, pasi ju nuk lejoni zgjedhjen e kryetarit. Ju bëni obstruksion të zgjedhjes së kryetarit duke shfrytëzuar procedurë parlamentare”,- theksoi deputetja e pavarur, Ivana Tufekxhiq.
Sipas Tufekxhiq, replikat e shumta të deputetëve të VMRO-DPMNE-së ndaj bashkëpartiakëve dëshmon se ata kanë problem me Antonio Milloshoskin dhe Lilija Dimovskin, ose ka për qëllim obstruimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Nëse debati për zgjedhjen e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve vazhdon me këtë ritëm, ku për fjalimin e një deputeti të VMRO-së ka një ditë replika, kundërreplika dhe procedura, kuvendit do t’i duhen rreth 50 ditë debate vetëm për këtë çështje.
SHPËTIM NUREDINI
