Konkluza e AShAAV-së, ShGM: Rregullatori i medias është i politizuar

29.03.2017 15:45

ShGM ka reaguar lidhur me konkluzën e miratuar nga ana e shumicës së anëtarëve të AShAAV-së....

ShGM ka reaguar lidhur me konkluzën e miratuar nga ana e shumicës së anëtarëve të AShAAV-së që në raportin vjetor për vitin 2016 të qëndrojë konstatimi se gjatë vitit paraprak shumica e televizioneve, si: Sitel, TV-Nova, Alfa, Kanal-5, Telma, 24 Vesti dhe Shenja gjatë punës së tyre kanë qenë politikisht të njëanshme, njofton “TVM2”.

Kryetari ShGM-së, Naser Selmani, thotë se me këtë konkluzë padrejtësisht tentohet të barazohet puna e të gjitha mediave, pavarësisht nëse gjatë monitorimit të punës së tyre për vitin 2016 janë konstatuar shkelje apo jo.

“Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe joprofesionale e shumicës së anëtarëve të AShAAV-së i konfirmon qëndrimet tona se rregullatori i medias është i politizuar dhe i partizuar. Anëtarët e Këshillit që e kanë mbështetur këtë konkluzion politik se të gjitha mediat kanë raportuar në mënyrë joprofesionale në kundërshtim me analizën e shërbimit profesional të Agjencisë, praktikisht e konfirmon lidhjet e tyre partiake dhe politike. Kërkojmë nga Kuvendi i Maqedonisë që të mos e miratojë këtë dhe ta kthejë në korrigjim te Agjencia e Mediave, me qëllim që të hiqet ky vlerësim politik nga raporti vjetor i Agjencisë”,- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Anëtari nga ShGM në ASHAAV, Zoran Fidanovski, thotë se konkluza e miratuar është e motivuar politikisht.

“Ky qëndrim është i motivuar politikisht dhe me të dëshirohet që të vihet barazi midis mediave për të cilat gjatë monitorimit nuk janë konstatuar shkelje të standardeve të gazetarisë profesionale me mediat për të cilat ka dhjetëra kallëzime për shkeljen e standardeve dhe është konstatuar gjuhë e urrejtjes”,- u shpreh anëtari nga ShGM në AShAAV, Zoran Fidanovski.

Veç konkluzës në fjalë, përmbajtja tjetër e raportit vjetor të AShAAV-së, i përgatitur nga shërbimi profesional i Agjencisë, është korrekte, njofton Fidanovski. Ndryshe, Këshilli i Agjencisë në mbledhjen e së martës ka miratuar Raportin vjetor për vitin 2016, i cili më pas duhet t’i dorëzohet kuvendit në miratim. (Naim Ramadani, TVM2)