Maqedoni

Mishi nga Brazili, AUV: janë shtuar kontrollet, ndalesë nuk ka

29.03.2017 17:06

Pas alarmit në BE për mishin e importuar nga Brazili, autoritetet shëndetësore në vend kanë filluar kontrolle të rrepta në pikat kufitare...

Janë forcuar edhe kontrollet në shitjen e brendshme për çdo dërgesë nga Brazili, sidomos për mishin që arrin i papërpunuar, por ende nuk ka ndalesë për import, pasi AUV pret një vendim të BE-së. 
 
“Ne kemi vendosur që çdo dërgesë në kalimin kufitar ta marrim dhe ta kontrollojmë në pjesën e sigurisë dhe në pjesën e cilësisë së prodhimit, me qëllim që të jemi të sigurtë se ai që vjen prej Brazili është mish i sigurt dhe me cilësi, derisa nuk na jepet një informacion  nga BE se si duhet të veprojmë në lidhje me mishin që vjen nga Brazili”,- deklaroi drejtori i AUV-së, Zoran Popovski.
 
BE së shpejti do të dërgojë ekspertët e tyre në Brazil, të cilët do të kryejnë kontrolle dhe do të vlerësojnë gjendjen e sektorit të mishit dhe pas vlerësimit të tyre do të vendosë edhe Maqedonia.
 
Nga AUV njoftuan ndërkohë se Maqedonia zyrtarisht mund të eksportojë prodhime të mishit të lopës në vendet e  BE-së.
 
Sipas AUV-së, kjo është një mundësi e mirë për kompanitë e vendit, pasi që do të mund t’i plasojnë prodhimet e tyre në tregjet europiane dhe me këtë të zgjerojnë biznesin e tyre.  
 
ERSAN PAJAZITI