Debati maratonik në Kuvend, panelistët në “Argument”: Nuk mund të zgjasë pa fund
Seanca maratone konstituive nuk do të zgjasë deri në pafundësi....

Seanca maratone konstituive nuk do të zgjasë deri në pafundësi. E njëjta do të përfundojë me shterjen e debatit brenda VMRO-së, pasi alternativa të tjera nuk ka, vlerësojnë deputetët e shumicës parlamentare në emisionin debativ “Argument”, njofton TVM2.
Deputeti i LSDM-së, Muhamet Zekiri, fajësoi BDI-në për stërzgjatjen e debatit, meqë i lejoi Trajko Veljanovskit të kryesojë seancën dhe të lejojë keqpërdorime të rregullores.
“Ata nuk debatojnë mbi pikën e rendit të ditës, ata flasin krejt diçka tjetër nga ajo për të cilën duhet të flasim dhe këtë e toleron kryesuesi i seancës, i cili ka uzurpuar atë vend dhe lëshimi në ditën e parë kur u mblodh parlamenti që iu lejua Trajko Veljanovskit të ulet në atë vend. Atje e lejoi BDI, të cilës i takonte si deputetin më të moshuar që e kishte nga radhët e saj, ishte Branko Manajllovski”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Muhamet Zekiri.
Deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, mbrohet se ndryshimet e rregullores ia mundësojnë Veljanovskit të kryesojë seancën. Stërzgjatja e debatit po bëhet në kuadër të legalitetit parlamentar, por keqpërdoret mungesa e formimit të grupeve parlamentare.
“Ne jemi në fazën që ende nuk kemi grupe parlamentare, përpos Lëvizjes BESA që ka dalë se ka të formuar grupin parlamentar, do të thotë e shfrytëzojnë edhe këtë moment. Shfrytëzohet gjithçka në suaza të legalitetit dhe legjitimitetit, kjo është jonormale. Janë të vendosur për të vazhduar debatin dhe duhet gjetur mekanizëm për të zhbllokuar procesin. T’i lëmë të bëjnë monolog mes veti dhe alternativë tjetër nuk ka”,- theksoi deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.
Por, Vesel Memedi nga RDK thotë se VMRO tenton të fshehë të bëmat shumëvjeçare në Maqedoni që do të kishin tronditur Ballkanin.
“Opinioni koncentrohet te formimi i qeverisë, por në sipërfaqe do të dalë komplet diçka tjetër që do të tronditë opinionin, jo vetëm në Maqedoni, por do të tronditë edhe opinionin më të gjerë, në rajon dhe në përgjithësi, ajo nënkupton zbardhjen e të vërtetës. Maqedoninë e këtyre 26 viteve e kanë karakterizuar shumë fenomene, që sot e kësaj dite ne nuk e dimë të vërtetën e këtyre fenomeneve”,- u shpreh Vesel Memedi nga RDK.
Eksperti i çështjeve juridike, Mersim Maksuti, problemin e shikon në qasjen destruktive ndaj rregullores. Zgjidhja shikohet në ndërprerjen e replikave brendapartiake.
“Një nga vërejtjet dhe ndryshimet që mund t’i bëjmë është të ndërpritet e drejta në replikë, kur kemi një situatë që replikat bëhen ndaj të njëjtit subjekt politik”,- theksoi eksperti i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti.
Sipas panelistëve, protestuesit janë individë të caktuar të cilët mbrojnë interesat personale dhe partiake të VMRO-DPMNE-së, ndërkaq vetë Ivanov dhe VMRO-DPMNE cenojnë karakterin unitar të shtetit. Edhe propozimi i fundit i VMRO-së për dalje nga kriza cilësohet si manipulim me vetë opinionin. (Meral Maksuti, TVM2)
Linku ku mund të ndiqni emisionin e plotë të mbrëmshë ARGUMENT në TVM2: http://al.play.mrt.com.mk/play/6875
