Maqedoni
Rasti “Kumanova”, Miftari: erdha për bashkim kombëtar, BDI nuk na tradhtoi. Reagojnë të akuzuarit e tjerë
29.03.2017 17:56
Dëshmia e të akuzuarit, Sevdail Miftari, për rastin “Lagja e trimave” irritoi të akuzuarit e tjerë...

Sevdail Miftari para trupit gjykues tha se në burgun e Shutkës e kanë vizituar tre inspektorë të policisë, të cilët kanë kërkuar nga ai që të flasë kundër disa të akuzuarve të tjerë.\
“Pasi më kanë arrestuar, pas 1-2 javëve, në burgun e Shutkës, tre inspektorë të policisë më morën në pyetje. Deklaratën që e kam dhënë dua që ta dëgjojnë edhe shokët këtu. Njëri prej tyre më ka thënë që nëse dua ta shoh prapë familjen time, kur të dëshmoj duhet të flas për Arsim Bajramin, Besnik Ajdinin, Fadil Fejzullahun dhe Irfan Lutfiun”,- theksoi i akuzuari, Sevdail Miftari.
Ndryshe nga të tjerët që pohojnë se kanë ardhur për shkak të mosrespektimit të Marrëveshjes së Ohrit, Miftari tha se në Maqedoni është ftuar nga katër presona të Kosovës të cilët i kanë thënë se motivi është bashkimi kombëtar.
“Këtu kam ardhur për bashkim kombëtar dhe jo për Marrëveshjen e Ohrit, për Marrëveshjen e Ohrit nuk do të vija asnjëherë. Kam qenë i armatosur dhe kam gjuajtur me armë. Dua të shoh analizat e armës nëse kam vrarë ose kam plagosur ndonjë person. Të akuzuarit, Lirim Demiri dhe Kenan Iseini, janë të pafajshëm. Ata i kemi marrë në qafë dhe unë dua të marr dënimin e tyre. Në fshatin Hotël kanë ardhur inspektorë të policisë, kam biseduar me ta, por emrat nuk i di”,- tha i akuzuari, Sevdail Miftari.
Gjithashtu, ndryshe nga të akuzuarit e tjerë, Miftari është i bindur se ky rast nuk është inskenuar nga BDI.
“Në fillim edhe unë kam menduar se këtë rast e ka përgatitur Ali Ahmeti, por duke i dëgjuar bisedat telefonike të anëtarëve të tjerë të grupit me Aliun, kam konstatuar se nuk është e mundur që një person i cili të ofrohet në ndihmë duke ta hapur telefonin, të jetë edhe tradhtar”,- tha i akuzuari Miftari në rrëfimin e tij para trupit gjykues.
Por, këto deklarata të Miftarit shkaktuan reagimin e ashpër të të akuzuarve të tjerë të cilët kërkuan të tregojë para tyre nëse ka marrë kërcënime para seancës që shprehet në këtë mënyrë. Për më tepër që më herët vetë Miftari ka përmendur emra të caktuar.
“Ty të ka mësuar dikush se si duhesh ta mbrosh Ali Ahmetin, atë kriminel?! Turp të qoftë!”,- reagoi ashpër Nasuf Beqiri.
Por, avokati, Naser Raufi, tha qartë se klienti i tij nuk është i kërcënuar.
“Unë jam i sigurt se nuk ka kërcënime në bazë të bisedës që e kam pasur më këtë klient, vërtet fillimisht përmendi disa emra, por tash u tërhoq dhe unë se di arsyen pse u tërhoq”,- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Në këtë seancë dëshmoi edhe i akuzuari, Fatmir Reçica.
Seanca e radhës është caktuar për më 19 prill, ndërsa nesër do të zhvillohet seanca për të akuzuarin, Sulejman Osmanin.
SANIJE DURAKU
