Maqedoni
Hoxha porosit Maqedoninë: nuk do të keni sukses po i nëpërkëmbët shqiptarët
29.03.2017 18:09
Në kohën kur situata në rajon nuk është e qetë dhe kur në një sërë shtetesh ka mungesë stabiliteti...

Në kohën kur situata në rajon nuk është e qetë dhe kur në një sërë shtetesh ka mungesë stabiliteti, Komisioni i Jashtëm në Parlamentin shqiptar ka thirrur në një seancë dëgjimore përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme për të hedhur dritë mbi krizën në Maqedoni dhe ndikimin rus në rajon.
Drejtori i përgjithshëm për çështjet politike dhe strategjike i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha, ka dërguar një mesazh të qartë për klasën politike maqedonase.
“Maqedonia nuk mund të ketë sukses duke nëpërkëmbur shqiptarët”.
Në të njëjtën kohë, ai është përgjigjur dhe për aludimet e ngritura se Platforma e partive shqiptare është hartuar në Tiranë.
“Rusia nuk ndan me ne të njëjtat vlerësime për sa i përket NATO-s dhe BE-së, për sa i përket investimit të BE dhe vendeve partnere, ndihmës që ato japin. Ajo ka një vështrim tjetër, ne kemi një qëndrim tjetër. Ne nuk mendojmë që këto qëndrime kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemeve në Maqedoni. Asnjë model që përjashton apo nëpërkëmbë shqiptarët, të drejtën e tyre legjitime, kushtetuese, nuk do mund të rezultoi i suksesshëm në Maqedoni. As nuk ka, as nuk ka pasur Platformë të Tiranës. Takimet me përfaqësues politikë, takimet me liderë politikë, takimet me përfaqësues institucionalë të shqiptarëve në hapësirat ku jetojnë, qofshin në Maqedoni, qofshin në Preshevë, Mal të Zi janë të zakonshme, janë bërë herë pas here, dhe takimi për të cilin aludohet është një nga këto takime”,- u shpreh drejtori për çështje politike në MPJ të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
