Maqedoni

Gjendje skandaloze në tregjet e gjelbra, tregtarët kërkojnë kushte normale për punë

29.03.2017 18:20

Tregjet me kartona dhe të mbuluara me najlona, me mungesë tualetesh e plot mbeturina. Kjo është pamja e shumë tregjeve të gjelbra në Shkup...

Asnjë treg në vend pothuajse nuk i plotëson kushtet fitosanitare për punë dhe standardin HASAP. Tregtarët të revoltuar kërkojnë njëherë e përgjithmonë kushte më të mira për punë.
 
“Nuk kemi ujë për t’i larë duart, papastërti e madhe, e papërshkrueshme është këtu ku punojmë. Kur bie shiu bie mbi ne, nuk ka çati këtu. Temperaturat e ftohta këtë dimër i kaluam në gjendje të mjerueshme, gjithë tregu ishte i papastruar”,- theksoi një tregtar.
 
“Nuk ka njerëz, nuk ka punë, ky është problemi më i madh”,- tha një tregtar. 
 
Tregjet e gjelbra në Qendër, Bunjakovec dhe në Bit Pazar janë në gjendje më të mjerueshme dhe kanë nevojë për investime urgjente, thonë nga Oda e Tregtarëve.
 
Ata thonë se viteve të fundit skajshmërisht është përkeqësuar situata në këto tregje dhe kërkojnë nga Shoqata Aksionare “Tregu i Shkupit” që urgjentisht të fillojë me ndërtimin e tregut të ri në Bit Pazar. 
 
“Sot tregjet në Maqedoni nuk janë as për t’i mbyllur kafshët e jo njerëzit të punojnë ose në të të frekuentojnë qytetarët. Sipas informatave që kemi, leja është gati dhe u apelojmë përfaqësuesve të “Skopski Pazarit” që nuk kanë vend më të stërzgjatin ndërtimin e tregut të ri në Bit Pazar. Le të fillojnë me ndërtim ose do të marrim masa tjera”,- u shpreh kryetari i Odës së Tregtarëve, Ekrem Dolek. 
 
Autoritet e “Tregut të Shkupit”, të cilët janë përgjegjës për realizimin e projektit për modernizimin e tregut në Bit Pazar, nuk japin informacion se kur do të fillojë ndërtimi i tregut të ri.
 
Sipas paralajmërimeve, ky treg do të duhet të mbulohet nga të dyja anët, të zëvendësohen tezgat e vjetra me të reja dhe mbi to të ndërtohet parking montues me kapacitet prej 240 vende, por deri tani asgjë nuk është bërë në këtë drejtim dhe nuk ka sqarime përse është vonuar ndërtimi i këtij tregu.
 
Tregtarët thonë se shitësit e paligjshëm edhe kriza e stërzgjatur politike në vend muajve të fundit ka ndikuar shumë në uljen punës së tyre.
 
Tregtarët, përveç kësaj, i mundon edhe mungesa e Ligjit për tregje të gjelbra, ku do t’u mundësohet sigurim shëndetësor dhe pensional. Në Maqedoni ka rreth 25 mijë tregtarë të ligjshëm. 
 
REXHEP QAMILI