Partitë dënojnë vrasjen dhe incidentet në Gjorçe
Duke e dënuar vrasjen e të riut Angel Petkovski, partitë politike bëjnë thirrje për ruajtjen e qetësisë, si dhe ftojnë MPB-në që të jetë më aktive në punën e saj......

Duke e dënuar vrasjen e të riut Angel Petkovski, partitë politike bëjnë thirrje për ruajtjen e qetësisë, si dhe ftojnë MPB-në që të jetë më aktive në punën e saj.
BDI, pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore, ka dënuar vrasjen e të riut, si dhe vandalizmin e shprehur gjatë protestave të dhunshme të ditës së hënë.
“Sipas të dhënave zyrtare, vrasja nuk ka motive etnike dhe fetare, ndaj përpjekjet për ta vënë atë në kontekst etnik, janë të dënueshme dhe të papërgjegjshme. Njëherësh u bëjmë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen e tyre dhe të kontribuojnë së bashku me institucionet në rikthimin e rendit dhe të sigurisë. Bashkëjetesa ndëretnike paraqet vlerë, që kërkon kujdesin dhe përkushtimin tonë, pa harruar se sjelljet individuale të gjithsecilit mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në këto marrëdhënie”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Edhe VMRO-DPMNE thërret në qetësim të situatës. “Ftojmë në urtësi nga ana e të gjithë faktorëve, me qëllim që të mos lejohet që situata të eskalojë më tej. Thërrasim të gjithë faktorët politik dhe partitë politike që të mos keqpërdorin këtë humbje njerëzore për ballafaqime të imta politike. Inkurajojmë institucionet të vazhdojnë me vendosjen dhe mbrojtjen e rendit, paqes e sigurisë”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Por, partitë opozitare maqedonase, LSDM dhe PRSD, kanë lëshuar akuza ndaj partive në pushtet, VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, pasi ato vlerësojnë se kjo është rezultat i politikave nacionaliste të të dy partive në pushtet. Oliver Spasovski nga LSDM i bëri thirrje kryeministrit Gruevski dhe ministres së Brendshme, Jankullovska, siç thuhet, t’i ndërpresin të gjitha manipulimet dhe t’i largojnë duart nga populli dhe mediat, në të kundërtën, do të konstatohet se ata i organizojnë dhe tensionojnë marrëdhëniet ndëretnike.
“Pse Nikolla Gruevski dhe Gordana Jankullovska duhet të japin përgjigje shumë të rëndësishme. Pse institucionet e tyre heshtën dhe nuk reaguan ndaj ankesave të qytetarëve se në Gjorçe ka problem me vjedhjen. Në mungesë të drejtësisë, a thua qytetarët duhet të vijnë në situatë që vetë të mbrohen. A është viktimë Angel Petkovski e mos funksionimit të sistemit të pushtetit të partizuar të Gruevskit dhe cila viktimë e radhës është Angeli”, deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.
Edhe Tito Petkovski nga PRSD-ja opozitare ka lëshuar akuza të ngjashme në adresë të partive në pushtet. (Afrim Tanallari, TVM2)
