Specialja kërkon largimin e kreut të Supremes; PPS: Është pjesë e “bombave”, nuk është i besueshëm
Prokuroria Publike Speciale kërkon largimin e kryetarit të Gjykatës Supreme...

Prokuroria Publike Speciale kërkon largimin e kryetarit të Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovskin. Nga PPS arsyetojnë kërkesën me faktin se kryetari i kësaj gjykate është i përfshirë në bisedat e publikuara telefonike në të ashtuquajturat “bomba” të opozitës, në periudhën kur e ka kryer funksionin e kryetarit të Gjykatës Supreme.
“Në përputhje me rekomandimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, paanshmëria e gjykatës është njëra nga themelet e garancisë të së drejtës në një gjykim të drejtë, kështu që çdo dyshim për anshmëri duhet të largohet”,- thonë nga PPS-ja.
Nga Specialja precizojnë se në bisedat e përgjuara, Vangellovski, duke qenë në funksion të kryetarit të Gjykatës Supreme, ka biseduar me ish-ministrin Janakievski për rastin “Global”.
“Frika rreth paanshmërisë së Vangellovskit krijohet në bisedat e publikuara me ish-ministrin, Janakievski, për rastin “Global”, në kohën duke qenë kryetar i Gjykatës Supreme. Kjo bisedë vë në dyshim paanshmërinë e gjykatësit Vangellovski të veprojë sipas tipit të tillë të lëndëve, për shkak të ekzistimit të rrezikut real nga interesimi i tij i mëparshëm për zgjidhjen e problemit në drejtim të caktuar”,- e arsyeton prokurorja, Katica Janeva, kërkesën për largim.
Vangellovski e ka konfirmuar në një intervistë televizive se zëri në bisedën e publikuar është i tij, gjegjësisht biseda e tij me ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievskin, është e besueshme. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
