Ligji për mbrojtje nga diskriminimi, ekspertët: Ka mangësi, nuk është qartë i definuar
Ligji aktual për ndalim dhe mbrojtje nga diskriminimi në Maqedoni....

Ligji aktual për ndalim dhe mbrojtje nga diskriminimi në Maqedoni ekziston tanimë 6 vite. Por, ekspertët thonë se Ligji ka mangësi të shumta në aspektin e definimit të formave të ndryshme të diskriminimit, njofton TVM2.
Në Maqedoni më së shumti diskriminim vërehet në baza etnike, më pas vijnë diskriminimet në baza politike e gjinore.
“Zbatimi i ligjit aktual ka pasur më tepër mangësi si në aspektin e definimit të formave të ndryshme të diskriminimit në baza diskriminuese, ka pasur shumë kritika që nuk është përmendur orientimi seksual dhe identiteti gjinor, dhe po ashtu ka pasur mangësi me përjashtimet nga diskriminimi. Nga praktika e komisionit në Maqedoni kemi më tepër raste të diskriminimit etnik, raste të diskriminimit të përkatësisë politike, në bazë të gjinisë dhe në bazë të orientimit seksual. Në aspektin e fushave më tepër diskriminim është bërë në marrëdhënie pune, po këtu bëhet fjalë vetëm për raste të paraqitura të diskriminimit”,- theksoi Bekim Kadriu nga Komisioni për Mbrojte nga Diskriminimi.
“Të gjithë e dimë se çështja e sferës së diskriminimit është njëra nga çështjet që e tangon botën bashkëkohore edhe përkundër të pluralizmit politik, edhe përkundër pranimit të demokracisë parlamentare dhe trajtave të reja të qeverisjes, fatkeqësisht mbetet që bota bashkëkohore të ballafaqohet me çështjen e diskriminimit”,- tha profesori në Universitetin e Tetovës, Jusuf Zendeli.
Universiteti i Tetovës e ka trajtuar diskriminimin në një debat kushtuar propozim-ndryshimeve në Ligjin për ndalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Në debat ishin të ftuar edhe ministrat e Punës dhe Politikës Sociale dhe ai i punëve të Brendshme, por ata nuk ishin të pranishëm. (Visar Sadiki, TVM2)
