Maqedoni

Hulumtimi “Metamorfozis”: pushteti ekzekutiv më jotransparenti në rajon

30.03.2017 15:21

Pushteti ekzekutiv në Maqedoni është më jotransparenti në rajon, tregojnë hulumtimet e bëra në kuadër të projektit “Aktion SEE”...

Pushteti ekzekutiv në Maqedoni është më jotransparenti në rajon, tregojnë hulumtimet e bëra në kuadër të projektit “Aktion SEE”, të  implementuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, i cili ka analizuar ueb-faqet e institucioneve, regullativën ligjore, aktet nënligjore dhe pyetësorët dërguar nëpër institucione.
 
Vetë Qeveria mban vendin e fundit në rajon dhe plotëson vetëm 32% të indikatorëve. Ministria më dobët e ranguar, sipas transparencës, është Ministria e Mbrojtjes, ndërsa më lartë radhitet Ministria e Punës dhe Politikë Sociale.
 
Edhe pse ka një ligj që obligon institucionet të jenë të hapura për informata të karakterit publik, implementimi i tij lë shumë për të dëshiruar.
 
“Maqedonia qëndron më ulët në rajon sipas transparencës së pushtetit ekzekutiv, gjegjësisht ka 36% hapje sipas indikatorëve, që është e habitshme. Duhet të punohet më shumë në implementimin e detyrimeve të ndërmarra. Ligji për qasje deri te informatat e karakterit publik është i shkëlqyeshëm dhe ndodhet në vend të lartë, por implementimi është i ulët. Institucionet i injorojnë dhe nuk përgjigjen në kërkesat e gazetarëve për informata të karakterit publik”,- tha hulumtuesja, Dançe Danillovska.
 
“Në pjesën e furnizimeve publike, ministritë publikojnë plane vjetore për furnizime publike vetëm 13%. Edhe më e habitshme është gjendja me organet tjera ekzekutive, të cilat kanë 25% transparencë, ndërsa bashkëveprimi me qytetarët është më i ulët në rajon, gjegjësisht përfshin 11%”,- theksoi hulumtuesja, Nada Naumovska.
 
Hulumtimi për pushtetin ekzekutiv është zbatuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, në periudhën prej tetorit deri në dhjetor të 2016-s, që të shihet se sa institucionet u përmbahen standardeve të transparencës.
 
Në Maqedoni janë analizuar 112 institucione, ndërsa sot janë prezantuar të dhënat për qeverinë, 15 ministritë dhe për 39 organe ekzekutive. Hulumtimet e tilla do të përsëriten edhe në vitin 2017 dhe në vitin 2018, ku do të dalin rekomandime për institucionet se si ta përmirësojnë gjendjen.
 
REJHANE BUSHI-METAJ