Të drejtat e njeriut në 2016, Memeti: vërehet stagnim dhe regres

30.03.2017 16:58

Nuk ka asnjë përmirësim me gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoni....

Nuk ka asnjë përmirësim me gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoni. Raporti vjetor i Avokatit të Popullit  ka treguar se gjatë 2016-s rastet e shkeljes së të drejtave dhe të lirive të njeriut janë rritur për 4 për qind, njofton TVM2.

Institucionet jofunksionale, administrata në shërbim të partive, veprimi joprofesional dhe brutal i policisë nëpër burgje, trajtimi jonjerëzor ndaj të akuzuarve në rastin e “Kumanovës” dhe të  protestuesve të “Revolucionit të larmë”, mosrespektimi i afateve ligjore për përfundimin e  proceseve gjyqësore, janë disa nga vërejtjet në këtë raport.

“Zyra e Avokatit të Popullit ka vepruan në  4.718 raste, në 1.523 prej të cilave konstatuam cenime flagrante të të drejtave të njeriut. Maltretim gjatë kryerjes së detyrës dhe trajtim jonjerëzor, nënçmues dhe johuman të policisë, konstatuam gjithashtu në protestat  masive të qytetarëve kundër vendimit të kryetarit të shtetit për falje të një grupi më të madh të funksionarëve dhe personave zyrtarë si dhe gjatë transportit të të akuzuarve në rastin e Kumanovës”,- u shpreh avokati  i popullit, Ixhet Memeti.

Avokati i Popullit konstaton edhe joprofesionalizëm të organeve zgjedhore, të cilat, sipas obdusmanit, cenuan  të  drejtën e votës. U pamundësua e drejta e votës tek një numër të të burgosurve dhe të  sëmurëve, njerëz me dokumentacion valid e që kurrë nuk e kanë lëshuar vendin, u vunë në listën e mërgimtarëve, thotë Memeti.

“KShZ nuk e mori guximin të implementojë ligjin e të fshijë votuesit fiktivë dhe ia hodhi fajin Ministrisë së Punëve të Brendshme”,- u shpreh avokati  i popullit, Ixhet Memeti.

Tej mase shqetësuese për Memetin është përhapja e gjuhës së urrejtjes.

“Kohëve të fundit, gjuha e urrejtjes po përdoret edhe nga persona publikë dhe bartës të funksioneve të larta dhe kjo gjuhë nuk po sanksionohet. Deklaratat e tilla dëmtojnë demokracinë e cila nuk lejon fyerje dhe mosrespektim të mendimit ndryshe”,- theksoi avokati  i popullit, Ixhet Memeti.

Në raport potencohet cenimi i së drejtës së punësimit të personave me aftësi të kufizuara, arkëtimi i paligjshëm i taksës radiodifuzive dhe i ujit, manipulimet me punësimet grupore, qofshin ato etnike ose partiake.

Për herë të parë, Zyra e Avokatit të Popullit konstaton lëshime në Fondin e dytë pensional, të cilat nëse nuk zgjidhen do të dëmtojnë seriozisht qytetarët, si me pensione pleqërie të ulëta, për shkak të anëtarësimit të tyre në shtyllën e dytë pensionale. Gjithnjë e më të shpeshta janë ankesat e qytetarëve për projektin “Termini im”, i cili në vend se të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, shkakton kaos në sistem.

Për 20 për qind janë rritur ankesat që kanë të bëjnë me diskriminimin në marrëdhëniet e punës në administratë, që janë mbi bazë politike. (Rexhep Qamili, TVM2)