Ekonomi
Kriza politike, KBM: kompanitë hezitojnë të investojnë
30.03.2017 17:21
Situata e ndërlikuar politike ka bërë që kompanitë të hezitojnë për të investuar dhe për ta zgjeruar biznesin e tyre në vend...

Situata e ndërlikuar politike ka bërë që kompanitë të hezitojnë për të investuar dhe për ta zgjeruar biznesin e tyre në vend, ndërkohë që qasja te financat, ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, sundimi i së drejtës, konkurrenca jolojale dhe mungesa e kulturës sipërmarrëse janë problemet themelore me të cilat përballen kompanitë gjatë udhëheqjes së biznesit.
Nga Konfederata e Biznesit thonë se me rendësi për bizneset është stabilizimi i situatës dhe krijimi i institucioneve të shëndosha demokratike, pasi që bizneset dëshirojnë që të jenë të sigurtë në punën e tyre.
“Janë të rezervuar, për shkak se ata kanë nevojë për siguri juridike, kanë nevojë për dialog në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit. Të gjithë atë e presin, presin masa të reja, klimë më të mirë të biznesit dhe për atë nuk janë për investime intensive në vend”,- theksoi kryetari i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë, Mile Boshkov.
Ngritja e standardeve dhe realizimi i ideve për biznes do të jenë më efektive nëse kjo arrihet me konsensus ndërmjet qeverisë dhe organizatave të punëdhënësve dhe punëtorëve, thonë nga Agjencia ndërkombëtare e punës, meqë dialogu mes tri palëve është qëllimi kryesor i kësaj Agjencia.
“Bashkëpunojmë me qeverinë, por edhe me Organizatën e punëdhënësve dhe sindikatat dhe njëkohësisht e nxisim dialogun mes tri palëve që të mundet të arrihet në një situatë ku politikat, ligjet, programet që sillen në sferën e punësimit, sigurimit të kushteve për punë të sillen me pajtueshmëri”,- theksoi përfaqësuesi i Agjencisë ndërkombëtare të punës, Antonio Graciozi.
Në shënimin e 15 vjetorit të Konfederatës së biznesit të Maqedonisë, anëtarët e Konfederatës thanë se gjatë këtyre viteve kanë përparuar mjaftueshëm dhe tani janë zë i biznesit, i punëdhënësve dhe janë të angazhuar për krijimin e politikave të reja të biznesit.
ERSAN PAJAZITI
