Maqedoni
Raporti për komisionin anti-korrupsion: nuk i kontrollon sa duhet pronat e funksionarëve. Anti-korrupsioni: raporti nuk reflekton realitetin
30.03.2017 17:51
Komisioni për anti-korrupsion ka bërë një hap para për edukimin e institucioneve...

Komisioni për anti-korrupsion ka bërë një hap para për edukimin e institucioneve, por shumë pak e ka njoftuar opinionin për keqpërdorime në mjetet buxhetore në fushatat zgjedhore.
Këto janë ndër çështjet kryesore të theksuara në raportin e Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtarë. Nga Qendra dërguan vërejtje se po bie edhe ndjekja dhe kontrolli i gjendjes pronësore të funksionarëve.
“Me vite numri i listave anketuese të kontrolluara po ulet, ndërkaq numri i listave anketuese, të cilat janë të kapshme në bazën e të dhënave, po rritet. Ashtu që në vitin 2011 kur ka pasur 2800 lista anketuese, komisioni ka kontrolluar 126, ndërkaq në vitin 2015 kur ka pasur mbi 4 mijë lista anketuese, ka kontrolluar vetëm 403 prej tyre”,- u shpreh bashkëpunëtorja e projektit në QMBN, Marija Sazdovski.
Njeriu i parë i anti-korrupsionit mbrohet, se janë duke punuar maksimalisht dhe në mënyrë transparente. Mendimi i tij është se raporti i Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar nuk reflekton realitetin.
“Thuajse gjatë gjithë vitit 2016 ne ishim në proces zgjedhor. Janë dhënë qindra përgjigje të cilat kanë të bëjnë pikërisht me këtë periudhë. Janë kryer kontrolle të një numri të madh të iniciativave dhe më duhet të them se ato numra të përfshira në prezantim, ato nuk japin pasqyrë të vërtetë të listave anketuese”,- theksoi kryetari i Komisionit anti-korrupsion, Igor Tanturovski.
60% e qytetarëve në Maqedoni janë të vetëdijshëm për korrupsionin dhe format e korrupsionit. 47% do të dakordoheshin me ndonjë sjellje korruptive.
Të dhënat për raportin janë grumbulluar në bashkëpunim me organizatat joqeveritare. Projekti për ndjekjen e punës së komisionit anti-korrupsion është financuar nga Ambasada britanike dhe do të zgjasë deri në prill të 2018-s.
MERAL ISMAILI
