Maqedoni
AShAAV kundër ShGM-së, Petrushevski: akuza se veprojmë politikisht, vlerësim politik; Fidanovski: Petrushevski nuk i demantoi deklarimet tona
30.03.2017 18:07
Raporti vjetor i AShAAV-së sërish ka ndezur debatin mes këtij trupi rregullator dhe ShGM-së...

Lazo Petrushevski nga AShAAV e cilësoi reagimin e fundit të ShGM-së si politik, madje tha se do të dorëhiqej nga kreu i Këshillit nëse opinioni do të konstatonte se mediat e apostrofuara në raport nuk kanë qenë të anshme me punën e tyre gjatë vitit 2016.
“Vetë vlerësimi i Shoqatës se ne veprojmë politikisht përbën vlerësim politik. A kanë treguar mediat e apostrofuara gjatë vitit 2016 anshmëri ndaj partive të caktuara politike, nëse përgjigja njëzëri është jo nga i gjithë opinioni, nga të gjitha mediat dhe subjektet tjera, atëherë unë do të jap dorëheqje nga kreu i Këshillit”,- theksoi kryetari i Këshillit në AShAAV, Lazo Petrushevski.
Por, përfaqësuesi i ShGM-së në AShAAV, Zoran Fidanovski, thotë se kreu i Këshillit me konstatimet e tij nuk demanton deklarimet e tij se raportit i është bashkangjitur konkluza e cila i fut në një kosh mediat e apostrofuara.
“Në deklaratën e kryetarit të Këshillit konstatoj se ai praktikisht nuk e demanton deklaratën time dhe të ShGM-së, se së bashku me vendimin për raportin shkon edhe një konkluzë e imponuar, e cila është tipike politike, se mediat Sitel, Alfa, Tv-Nova, 24-vesti, Telma dhe Shenja janë të anshme në punën e tyre, apo me fjalë të tjera se të gjitha janë të njëjta”,- u shpreh anëtari në ASHAAV nga ShGM, Zoran Fidanovski.
AShAAV i prezantoi sot rezultatet e procedurave të iniciuara për kundërvajtje që kanë të bëjnë me shkeljet e Kodit Zgjedhor gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2016.
Nga gjithsej 63 procedura të iniciuara për kundërvajtje, për 43 AShAAV ka kërkuar që gjykata t’u tërheqë vërejtjen, ndërsa 20 të gjobiten.
Prej tyre 17 procedura janë për Tv-Nova, 7-të për Sitel, 6-të për Tv-Alfa, ndërsa Alsat-M, TVM 1, 24-Vesti dhe Shenja janë përballur me nga tre procedura.
AShAAV debatoi edhe për nevojën e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat kanë të bëjnë edhe me monitorimin e portaleve.
NAIM RAMADANI
