Maqedoni
Koordinimi për zhbllokim të kuvendit, farsë; VMRO rikthen debatin për parimin “fituesi me fituesin”; Ademi: VMRO po qan për pushtet
30.03.2017 18:31
Dështoi edhe një përpjekje e partive politike për të zhbllokuar seancën konstituive...

Dështoi edhe një përpjekje e partive politike për të zhbllokuar seancën konstituive, ku duhet të zgjidhet Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve dhe kryetari dhe zëvendësit e tij.
Partitë, edhe pse gjatë koordinimit kanë arritur dakordim që të heqin dorë nga proceduralet dhe replikat e paqena, vazhduan me avazin e vjetër.
“Disa herë, theksova edhe dje, se ne nuk merremi vesh. Aktrojmë sikur koordinohemi, e cila u dëshmua që në ditën e parë se, sipas të gjitha gjasave, është koordinim vetëm mes disa deputetëve në vend të koordinimit mes partive politike. Është e vërtetë se u propozua që të mos ketë procedurale dhe të gjithë deputetët të tërhiqen nga vërejtjet procedurale, por njëkohësisht propozova që diskutantëve që nuk e respektojnë rendin e ditës t’u merret fjala”,- deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.
Edhe në vazhdimin e katërt të seancës konstituive, VMRO-DPMNE insiston në respektimin e parimit për koalicionim mes partive fituese.
“Nuk qante VMRO-DPMNE nëpër ambasada të huaja në periudhën 2006-2008 që të jetë pjesë e pushtetit. BDI duke u thirrur në votën e shqiptarëve, duke u konsideruar si parti fituese, e kontestoi gjithë procesin zgjedhor, fitoren e VMRO-DPMNE-së vetëm që të jetë pjesë e pushtetit dhe patëm zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vota është respektuar edhe atëherë, do të respektohet edhe tani! Do të respektohet edhe në të ardhmen, të jeni të sigurt”, u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
“Ju lutem. Po. BDI bëri që të vijë deri te Marrëveshja e Majit, për të cilën thoni se nuk ka ekzistuar. Po, ekzistonte! Por, nuk qante. Kjo që po e shoh këto katër ditë, gjithnjë e më shumë më ngjan në të qarë për pushtet”,- u shpreh Xhevat Ademi nga BDI.
Sipas deputetit të Lëvizjes BESA, Fadil Zendelit, lëshimi i mundësisë që me seancën konstituive të udhëheq deputeti më i vjetër, është një shans i humbur për të zhbllokuar punën e Kuvendit.
“Pati mundësi që në mbledhjen e 30 dhjetorit të dalim nga kjo situatë nëse do të kishim pasur deputetin më të moshuar, i cili do të udhëhiqte me këto seanca të kuvendit. Edhe pse pat një kërkesë nga ana e LSDM-së, por edhe ata nuk u treguan të vendosur, ndërsa BDI, edhe pse e ka deputetin më të moshuar, nuk insistoi që seanca të vazhdojë nga ana e saj”,- theksoi Fadil Zendeli nga BESA.
Debati vazhdon, por jo për Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, që është në rend dite.
Përderisa VMRO-DPMNE kërkon debat për marrëveshjen LSDM-BDI dhe deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, deputetët e LSDM-së filluan të numërojnë projektet që do të ishin realizuar në këtë periudhë nëse VMRO nuk do ta bllokonte punën e Kuvendit që në dhjetor.
SHPËTIM NUREDINI
