MAQEDONI

Murati: Incidenti mes dy individëve të mos marrë konotacion etnik

21.05.2014 18:17

Banorët e Gjorçe Petrovit duhet t’i ulin tensionet, t’i ndërpresin bllokadat e rrugëve dhe t’ia lejnë punën institucioneve përkatëse që të zbardhin rastin në fjalë, apelon sot kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.....

Banorët e Gjorçe Petrovit duhet t’i ulin tensionet, t’i ndërpresin bllokadat e rrugëve dhe t’ia lejnë punën institucioneve përkatëse që të zbardhin  rastin në fjalë, apelon sot kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati. Ai u bëri thirrje dy komuniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe  maqedonasve të kësaj zone, të mos e keqpërdorin rastin tragjik që ka ndodhur 2 ditë më parë për të krijuar incidente ndëretnike.         

“U bëj apel të gjithë banorëve jo vetëm të Komunës së Sarajit, por edhe atyre të Gjorçe Petrovit, që të mos shfrytëzohet një zënkë, një incident individual që ka ndodhur mes 2 të rinjve, për të krijuar tensione ndëretnike edhe për të krijuar kriza më të thella, të cilat mund të jenë me përmasa më të mëdha. Gjithashtu dëshiroj të shpreh shqetësimin tim për atë që u ka ndodhur atë natë banorëve të pafajshëm, të cilën kanë lëvizur në atë rrugë që kalon përmes Komunës së Gjorçe Petrovit, që janë keqtrajtuar nga persona të papërgjegjshëm dhe janë demoluar shumë objekte, janë djegur objekte të banorëve të pafajshëm. Andaj, kërkoj nga institucionet përkatëse, nga MPB-ja, të marrin hapa konkrete që të bëjnë zbardhjen e të gjitha këtyre rasteve dhe t’i gjejnë fajtorët  e  këtyre veprave, të cilët demoluan, thyen dhe dogjën prona të banorëve të pafajshëm”, -  deklaroi  kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.           

Dy ditët e fundit, për vizitë në Komunën e Sarajit kanë arritur edhe ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili.

Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, për TVM-2 thotë se gjendja aktuale në këtë Komunë është e qetë dhe nën kontroll, por megjithatë, ata mbeten në kontakte të vazhdueshme me të gjitha institucionet përkatëse, për të siguruar edhe në të ardhmen një lëvizje të lire për të gjithë qytetarët e kësaj zone.

Objektivi i kamerës sonë gjatë ditës së sotme në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, vërejti një numër të madh të prestarëve të policisë. TVM-2 edhe për kundër përpjekjeve për të marrë opinionin edhe të kreut të Komunës së Gorgje Petrovit, Sokoll Mitrevski, nuk arriti të sigurojë të njëjtin, për shkak të siç na thanë nga kabineti i tij, agjenda e tij  ditore ishte shumë e ngjeshur. (Rexhep Qamili, TVM2)