Tetovë: Aksidentohen maturantët, 1 i vdekur, 4 të lënduar
Zëdhënësi i policisë së Tetovës, Marijan Josifovski, ka dhënë detaje rreth incidentit në fjalë, ku theksoi se automjeti “Tojota”, që është drejtuar nga i ndjeri, Egzon Ceka, ka humbur kontrollin dhe është rrotulluar disa herë………...

Një maturant 19 vjeçar nga fshati Tearcë, Egzon Ceka, e ka humbur jetën dhe 4 të tjerë janë lënduar në mëngjesin e sotëm si pasojë e një aksidenti në komunikacion. Ata, pas përfundimit të mbrëmjes së maturës, janë aksidentuar në hyrje të Tetovës afër restaurant “Emka”, me ç’rast, 4 të lënduarit kanë kërkuar ndihmën e parë në Spitalin Klinik të Tetovës dhe tani ndodhen në kurim shtëpiak, ndërsa një nga të lënduarit është dërguar për kurim në spitalin klinik të Shkupit.
“Në departamentin e kirurgjisë në spitalin klinik të Tetovës u sollën pesë të lënduar, nga të cilët njërin e sollën pa shenja jete, ne vetëm konstatuam vdekjen e të riut në ambulancë. Njëri prej kolegëve të tyre ishte me lëndime më të rënda trupore, me frakturë të komplikuar, lëndime gjoksi dhe barku, shkaku i seriozitetit të lëndimit dhe trajtimit kompleks, u përcoll për qendrat klinike në Shkup. I ndjeri që u soll ishte pa shenja jete, me lëndime të kokës. Nga ekzaminimi që u bë, u konstatua se vdekja ishte e menjëhershme”, deklaroi mjeku në spitalin klinik të Tetovës, Ylber Besimi.
Zëdhënësi i policisë së Tetovës, Marijan Josifovski, ka dhënë detaje rreth incidentit në fjalë, ku theksoi se automjeti “Tojota”, që është drejtuar nga i ndjeri, Egzon Ceka, ka humbur kontrollin dhe është rrotulluar disa herë.
"Automjeti “Tojota” me targa të Tetovës, që ka qenë i drejtuar nga E. C. nga Tearca, ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është rrotulluar. Nga rrotullimi, vozitësi ka marrë lëndime të rënda trupore, pas çka ka ndërruar jetë, kurse me lëndime të rënda ka përfunduar edhe 19 vjeçarja B.I. nga Poroji, e cila pas ndihmës së parë të ofruar, urgjentisht është transferuar në klinikë të Shkupit. Tre bashkudhëtarët e tjerë, A. R. nga Përshefca, L. K. nga Tetova dhe J. S. nga Tearca kanë marrë lëndime të lehta dhe pas ndihmës së ofruar në klinikën e Tetovës, janë lëshuar për shërim shtëpiak. Prokurori publik dhe ekipet e SPB-së së Tetovës, kanë kryer hetime dhe po punohet në zbardhjen e rastit", - tha zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Marijan Josifovski.
Gjatë ditës së sotme, fshati Tearcë është kapluar nga zia, ku gjatë pasdites u bë edhe varrimi i të ndjerit Egzon Ceka në varrezat e fshatit Tearcë. (Miftar EMINI, TVM2)
