Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Rama: Nuk janë favore, të drejtat u takojnë

31.03.2017 12:46

“Nuk mund të fajësosh fqinjët pse gjërat nuk shkojnë si duhet në shtëpinë tënde”.....

“Nuk mund të fajësosh fqinjët pse gjërat nuk shkojnë si duhet në shtëpinë tënde”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për “dialog-plus ch”.

Duke iu referuar situatës në Maqedoni, kryeministri shqiptar u shpreh se vendi gjendet në një krizë kushtetuese që iu faturohet padrejtësisht shqiptarëve, i faturohet komplet padrejtësisht Tiranës.

“Përgjegjësinë kryesore për shtëpinë e kanë të zotët e shtëpisë, nuk e kanë fqinjët. Kjo është një lojë politike. Dhe këtë e dinë shumë mirë ata që e luajnë, sepse shqiptarët s’kanë qenë, s’janë dhe as që do të jenë problemi i Maqedonisë, por shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të jenë njësi shtetformuese, të drejtat e së cilës nuk mund të trajtohen si favore. Kaq. Por, e gjitha është një lojë politike, që nuk ka të bëjë fare me të ashtuquajturën “Platformën e Tiranës”. Platforma është shkruar dhe është aprovuar nga partitë shqiptare. Unë kam pasur kënaqësinë dhe detyrën që t’i ndihmoj, jo për platformën, por t’i ndihmoj për komunikimin mes tyre”,- shton Rama.

Sipas tij, “temperatura politike” në Ballkan ka shënuar rritje në mënyrë të rëndësishme, por  tensionet janë rezultat i klimës elektorale në rajon. Serbia gjendet para zgjedhjeve presidenciale .

Kosova është në një situatë të ndërlikuar, sepse s’po arrin dot heqjen e vizave, ndërkohë që Bashkimi Europian ka vënë një kusht që duhet zgjidhur: demarkacionin me  Malin e Zi.

Bosnja ka ato probleme që ka. Mali i Zi kaloi një palë zgjedhje shumë dramatike dhe faktikisht koalicioni pro-NATO mbijetoi me vetëm pak vota në parlament. I pyetur nëse kufijtë ballkanikë janë të sigurtë, Rama dha përgjigje: “Ballkani nuk do të merret me kufijtë e vet deri kur do të besojë tek Europa dhe deri kur Europa do të vazhdojë të motivojë Ballkanin si një horizont të patjetërsueshëm.

Fati i stabilitetit në Ballkan dhe i vetë njerëzve të gjeneratës tjetër në Ballkan është i lidhur ngushtësisht me fatin e Europës. Nëse mbyllet perspektiva europiane, nëse dështon anëtarësimi në BE, atëherë në Ballkan hapet debati për kufijtë”.

Kryeministri shqiptar përkujton se Rusia ka një qasje strategjike ndaj Ballkanit, ndërkohë që Europës i mungon kjo qasje. Europa po i trajton vendet e Ballkanit si të ishte në kohët e veta më të mira, ndërkohë që është në kohët e veta më të këqija. Mbetet për të shpresuar se prania e ShBA-së në rajon do të vazhdojë të jetë e madhe dhe qasja strategjike nuk do të ndryshojë. Në këtë periudhë kalimtare të administratës krijohet një lloj ndjesie boshllëku, por jam i bindur se është i përkohshëm, thotë kryeministri Rama në intervistën për “dialog-plus ch”.