Tetovë, helmohen nga ushqimi 220 punëtorë të “Lear”
220 punëtorë të Kompanisë “Lear” në zonën industriale në Tetovë kanë përfunduar në spitalin e Tetovës dhe Gostivarit...

220 punëtorë të Kompanisë “Lear” në zonën industriale në Tetovë kanë përfunduar në spitalin e Tetovës dhe Gostivarit, me simptoma tipike të helmimit nga ushqimi: vjellje, dhimbje barku dhe marramendje.
Punonjësit kanë filluar të ankohen menjëherë pasi e kanë ngrënë darkën e shtruar për ndërrimin e tretë. Sipas drejtorit të Spitalit të Tetovës, të gjithë janë lëshuar tashmë në shërim shtëpiak, përveç një pacienti që ende ka mbetur në spital për disa analiza plotësuese, por që duhet të lëshohet edhe ai shumë shpejt. Spitali e ka paraqitur rastin edhe në Institutin për Shëndet Publik dhe në Agjencinë për Ushqim.
“Me rëndësi është se deri në këto momente kemi vetëm një të hospitalizuar , dhe të gjithë, prej krejt numrit që kërkuan ndihmë, kemi të shtrirë vetëm një pacient. Numri që kanë kërkuar shërbime shëndetësore e që i kemi të evidentuar me emër, mbiemër dhe të dhëna të tjera është 127, mirëpo që i është ofruar të gjithëve ndihma është 183 persona. Ky është numër që flitet vetëm për institucionin që e kemi të regjistruar. Dyshohet helmim nga ndonjë ushqim, pasi është paraqitur rasti ne e kemi paraqitur në Institutin për Shëndet Publik, i cili në koordinim me Agjencinë për Ushqim dhe Inspeksionit Sanitar. Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë”,- theksoi drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi.
“Shumica e pacientëve janë paraqitur për shkak të ankesave dhimbje barku dhe vjellje. Është një situatë ku për një kohë të shkurtër një numër i madh i pacientëve, ajo duket një situatë dramatike, por nuk është dramatike për shëndetin e tyre”,- tha kryeshefi në Urgjencën e Tetovës, Gëzim Nuredini.
Gjatë ditës është formuar një komision i përbërë nga përfaqësues të Agjencisë së Ushqimeve, Qendrës së Shëndetit Publik dhe Inspektoratit Sanitar, që janë duke u kryer hetimet për shkaqet e helmimit dhe pritet që brenda ditëve të ardhshme të dalin me të dhëna të sakta. (Visar Sadiki, TVM2)
