Rusia pas “lajmeve të rreme”? Flynn gati të dëshmojë në këmbim të imunitetit

31.03.2017 14:15

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Flynn.....

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Flynn, është shprehur i gatshëm të dëshmojë në seancat dëgjimore mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, por kërkon në këmbim imunitet nga ndjekja penale.

Avokati i ish-zyrtarit të lartë të administratës Trump, i shkarkuar në muajin shkurt, thotë se “gjenerali Flynn ka një histori për të treguar dhe dëshiron ta tregojë, nëse rrethanat do t’ia lejojnë. Ai është një veteran i shumëdekoruar i ushtrisë amerikane. Por, pavarësisht kësaj, mediat janë të mbushura me akuza të pabazuara, pretendime fyese për tradhti dhe aludime të mbrapshta kundër tij.

Tani është shënjestra e kërkesës së anëtarëve të Kongresit dhe kritikëve politikë që kërkojnë të hetohet penalisht. Asnjë person i arsyeshëm, i cili ka përfitimin e këshillave të specializuar, nuk do t’i nënshtrohej marrjes në pyetje në një mjedis kaq të politizuar e të prirur për gjueti shtrigash, pa marrë më parë garanci kundër përndjekjes së padrejtë”.

Komisionet e inteligjencës në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, bashkë me FBI-në, janë duke hetuar lidhjet e Flynnit me Rusinë.

Takimet e tij me një të dërguar rus në kohën e fushatës i kushtuan ish-gjeneralit edhe vendin e punës.

ShBA-të akuzojnë Rusinë se ka përdorur teknologjinë për të përhapur sa më shumë dezinformim, përfshirë këtu lajmet e rreme me të cilat ka bombarduar votuesit në shtetet kyçe, si Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani. (Gazmend Rexhepi, TVM2)