Maqedoni
Rinovimi i shkollave në Saraj, 200 mijë euro investim në bashkëpunim me “Albiz”
31.03.2017 15:41
Komuna e Sarajit nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Fondacionin ALBIZ, për rinovimin e shkollave që gravitojnë në këtë komunë...

Komuna e Sarajit nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Fondacionin “Albiz”, për rinovimin e shkollave që gravitojnë në këtë komunë.
Gjatë këtij viti, në komunat e Sarajit do të investohet rreth 200 mijë euro, theksuan nënshkruesit.
“Me këtë investim kapital do të mundemi sadopak të krijojmë kushte më të mira për nxënësit. Në këtë drejtim nuk do të mungojë mbështetja e komunës së Sarajit, sipas mundësive tona. Me këtë bashkëpunim do të dyfishohen punët të cilat duhet të bëhen në komunën e Sarajit. Është një akt historik dhe shumë i guximshëm, sepse investimi në shkolla është investim në ardhmërinë tonë, investim në fëmijët tanë, i cili është investim më i sigurt”,- theksoi kryetari i komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Në 60% të shkollave të komunës së Sarajit do të investohet në riparimin e çative që nuk janë prekur që në kohën e ndërtimit të tyre, madje janë edhe me material kancerogjen që duhen hequr urgjentisht. Investuesit presin t’u bashkëngjiten edhe firma të tjera.
“Në komunën e Sarajit investimi pritej të tejkalojë 200 mijë euro. Deri tani janë të siguruara 150 mijë euro. Si për fillim është Kompania “Alma M”, një iniciatore e një investimi nëpër shkolla t; komunës së Sarajit, pastaj janë paraqitur edhe katër kompani të tjera të cilat kanë siguruar shumën prej 50 mijë euro. Ne presim edhe më tutje që kompanitë të na bashkëngjiten dhe do ta arrijmë që ta përmirësojmë gjendjen e shkollave”,- tha përfaqësuesi i Fondacionit "Albiz", Nexhat Shahini.
Riparimi do të përfshijë Shkollën Fillore “Drita” në fshatin Rahçe, Shkollën Fillore “Sami Frasheri” në Shishovë, si dhe Shkollën Fillore në Gerçec, e cila është në gjendje alarmante dhe duhet të ndërtohet nga fillimi.
REJHANE BUSHI-METAJ
