Maqedoni

Dita e Gjyqësorit, Vangellovski: ligjet e miratuara shpejt, pengesë e Gjyqësorit; Ambasadori Garet: problemet në Gjyqësor, në fokusin tonë

31.03.2017 16:49

Kushtetuta dhe ligjet janë veglat më të fuqishme të çdo gjykatësi që t’i kundërshtohet ndikimeve dhe trysnive nga pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës...

Kushtetuta dhe ligjet janë veglat më të fuqishme të çdo gjykatësi që t’i kundërshtohet ndikimeve dhe trysnive nga pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës, pohon kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski.
 
Duke folur në shënimin e Ditës së Gjyqësorit në vend, Vangellovski përsëriti qëndrimin se nevojiten shumë ndryshime të ligjeve të miratuara me procedurë të përshpejtuar në kuvend, të cilat tani paraqesin problem në punën e gjykatave.
 
Vangellovski, edhe pse për këtë nuk e thotë fajtorin, thotë se gjithçka do të ishte më mirë duke mos lejuar që të pranonim Raportin e Pribesë.
 
“Kush lejoi që të ndodh Raporti i Pribesë? E gjithë situata në shoqëri dhe gjyqësor lejuan që të ndodh një raport i tillë, i cili është kritik, në të cilin do të duhet të punohet dhe që është tregues i hapur se çfarë do të duhet të ndërmerret në periudhën që vjen”,- u shpreh kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski.              
                                                                 
Gjendja me sundimin e së drejtës dhe pavarësinë në gjyqësor është në fokusin edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Ambasadori i Britanisë së Madhe në vend, Çarls Garet, porositi se marrja e vendimeve reflektohet në fatin e qytetarëve, por edhe në institucione dhe në funksionimin e tyre.
 
“Ne jemi miq të sinqertë të Maqedonisë, partnerë të afërt dhe mbështetës të fuqishëm. Ne nuk e kemi shkopin magjik që t’i përmirësojmë punët brenda natës, por ne jemi të sinqertë me ju dhe kemi përvojë të madhe të cilën me kënaqësi do ta ndanim me ju”,- theksoi ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarlls Garet.                                                                                                                
Prapa kamerave Vangellovski tha se Prokuroria Speciale ka dhënë autogol me kërkesën që ai të tërhiqet nga marrja e vendimit pas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë së paraburgimit të Sead Koçanit.
 
Vanegllovski tha se, sipas Ligjit për procedurë penale, të drejtën për të kërkuar mbrojtjen e ligjshmërisë e ka vetëm prokurori publik.
 
MERAL ISMAILI