Maqedoni
Haraçinasit bllokuan qarkoren e Shkupit, kërkojnë nga EVN përllogaritje të re të faturave
31.03.2017 17:04
Banorët e Haraçinës, të revoltuar nga faturat e larta të energjisë elektrike, për një orë bllokuan qarkoren e Shkupit...

Ata nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre, që EVN të bëjë përllogaritjen e re të faturave të energjisë të energjisë së shpenzuar mujore dhe të ndalohet ç’kyçja e debitorëve në këtë rajon.
“Kërkojmë kyçjen e të gjithë konsumatorëve që janë të ç’kyçur nga EVN për mospagesën e rrymës, korrigjim të faturave të konsumatorëve për shkak të dyshimeve se ato janë të jorealëta, kthimin e orëmatësve të vjetër për shkak të dyshimit se orëmatësit e tanishëm digjital mund të manipulohen, qasjen e konsumatorit deri tek orëmatësit për të pasur informacione për kilometrat e shpenzuara dhe kërkojmë gjithashtu faturat të jenë në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht”,- u shpreh një protestues.
“Prej ditës së hënë, për çdo ditë 24 orë do të bllokojmë me traktorë dhe plluga qarkoren e Shkupit dhe nuk do të lëvizim prej këtu, derisa nuk merren masa urgjente ne nuk tërhiqemi nga kërkesat”,- theksoi një protestues.
Këshilli organizativ i banorëve të Haraçinës gjithashtu kërkon fatura fikse të energjisë elektrike për rastet e rrezikuara sociale në këtë rajon dhe zvogëlimin e taksës në këto fatura.
Nga EVN mbetën në qëndrimin e dhënë më herët, se gjithçka që është shpenzuar nga ana e konsumatorëve të këtij rajoni do të duhet paguar një çast e më parë. Ata përjashtojnë çdo mundësi që të ketë ndodhur gabim me përllogaritjen e faturave të energjisë energjetike.
Përndryshe, protestat e sotme organizohen për së treti herë në Haraçinë.
REXHEP QAMILI
