Maqedoni
Ndërmjetësimi, zgjidhje më ekonomike për kontestet e punës
31.03.2017 17:50
Zgjidhja paqësore e kontesteve gjatë punës është më ekonomike dhe më efikase...

Përmes këtij sistemi shmangen shpenzimet gjyqësore dhe gjykimet afatgjate.
Deri tani në Maqedoni janë zgjidhur katër raste me ndërmjetësues, ndërsa për ndërmjetësues janë trajnuar 70 persona, prej të cilëve 40 kanë leje pune.
Sipas sindikatave, duhet të ngrihet vetëdija e punëtorëve dhe punëdhënësve që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë paqësore.
“Aktivitetet për zgjidhje paqësore të kontesteve duhet vetë t’i propozojmë pa ndihmë të donatorëve tanë, për shkak se nuk është e mjaftueshme të sillet vetëm një ligj, të ndërtohet institucion apo të mbahen trajnime, nëse nuk ndikojmë në vetëdijen e punëtorëve dhe të punëdhënësve, se zgjidhja paqësore e kontesteve gjatë punës është shumë më ekonomike dhe më e shpejtë për dallim nga ajo që të shkohet në gjyq”,- deklaroi kryetari i organizatës së punëdhënësve, Angell Dimitrov.
“Duke pasur parasysh që Ligjin për zgjidhje paqësore të kontesteve e kemi shtyrë përsëri në funksion, presim që në mënyrë drastike të ulet numri i këtyre mosmarrëveshjeve. Qëllimi i sjelljes së ligjit dhe i trajnimeve është që të shmanget gjykimi afatgjatë, si dhe shpenzimet gjyqësore të punëdhënësve dhe punëtorëve”,- u shpreh kryetari i LSM-së, Zhivko Mitrevski.
Fushatat për zgjidhje paqësore të problemeve janë të mbështetura nga BE përmes projektit “Avancimi i dialogut social”.
“Projekti u përball me shumë vështirësi, duke pasur parasysh se është implementuar në një situatë të ndërlikuar politike, pasi që nuk ishte e lehtë për të punuar në dialog trepalësh. Por, jemi të kënaqur që mund të tregojmë se projekti ka dhënë rezultate”,- theksoi Antonio Graciozi nga Agjencia Ndërkombëtare e Punës.
Për realizimin e projektit “Avancim i dialogut social” janë shpenzuar rreth 1.3 milionë euro.
ERSAN PAJAZITI
