Maqedoni

Veljanovski u shkyç mikronët deputetëve; LSDM akuzon Veljanovskin për moral të dyfishtë; Manajlloski: Hajde të punojmë për Maqedoninë

31.03.2017 18:26

Kryesuesi me seancën konstituive, Trajko Veljanoski, në vazhdimin e pestë të seancës filloi t’ua shkyç mikrofonin deputetëve...

Kryesuesi me seancën konstituive, Trajko Veljanoski, në vazhdimin e pestë të seancës filloi t’ua shkyç mikrofonin deputetëve që keqpërdornin foltoren, me pretendimin se kanë vërejtje procedurale.  
 
“Kolegë deputetë, sapo u dakorduam disi, nuk rezistuam as 10 minuta. Unë gjithsesi jam i detyruar që të respektoj Rregulloren deri në fund”,- u shpreh kryesuesi me seancën, Trajko Veljanoski.
 
Mirëpo, deputetët e shumicës së re parlamentare pretendojnë se Veljanoski po luan lojë të dyfishtë, duke i ndërprerë vetëm ata që keqpërdorin proceduralet, e që kryesisht janë nga radhët e LSDM-së dhe koalicionit, por jo edhe folësit e VMRO-DPMNE-së, gjatë fjalimeve, replikave dhe kundërreplikave edhe pse fjalimet e tyre nuk kanë të bëjnë me propozimin për zgjedhje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.
 
Sipas LSDM-së, Veljanovski në vazhdimësi shkel Rregulloren e Kuvendit, prandaj duhet të lëshojë kryesimin me seancën dhe timonin ta merr një deputet tjetër. 
 
“A ia more fjalën kolegut, Antonio Milloshovskit, Ilija Dimoskit ose Zoran Ilioskit, pas vërejtjeve?! Do të merrni stenogramet dhe do shihni se në fjalimet e tyre prej 10 minutash vetëm 10 sekondat e para flasin për pikën në rendit të ditës dhe kohën e mbetur prej 10 minutave e harxhojnë për ca skenarë të zi, për ndarjen e shtetin, për federalizim, për dygjuhësinë... Ju jeni përgjegjës i drejtpërdrejtë për këtë. Dhe kur më e udhëhiqni keq këtë seancë, është koha që të çoheni nga ajo karrige dhe dikush tjetër ta marrë kryesimin me seancën konstituive”,- tha Vasko Kovaçevski nga LSDM.
 
Përse kaq nervozë për probleme të paqena? – pyeti deputeti shqiptar ortodoks, Branko Manajllovski. Ai ftoi deputetët që të lënë anash interesat partiake dhe së bashku të punojnë për interesat e qytetarëve dhe shtetit.
 
“Lërini interesat partiake pak mënjanë! Hajde të punojmë për Maqedoninë! Të zgjidhim problemet e Maqedonisë që populli dhe ne të qetësohemi. Këtë ne mundemi ta bëjmë. Unë do të kisha dashur që të bëhem një lloj urë mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Dhe në të vërtetë, jam. Me origjinë jam shqiptar, por jam shqiptar i maqedonizuar”,- theksoi deputeti i BDI-së, Branko Manajllovski.
 
Edhe në vazhdimin e pestë të seancës konstituive mbisundon debati rreth Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, në fakt këmbëngulja e VMRO-DPMNE-së për të diskutuar se çfarë ka pranuar LSDM nga kjo platformë dhe cili është çmimi që, sipas tyre, duhet të paguaj Maqedonia.
 
“Zhvendosni debatin dhe blini kohë për të mbrojtur zyrtarët e kriminalizuar nga përballja me drejtësinë”, - kundërpërgjigjen nga LSDM.
 
SHPËTIM NUREDINI