OSBE

OSBE dhe kh apelojnë për qetësi

21.05.2014 20:01

Misioni i OSBE-së në Shkup, përmes një komunikate me shkrim, ka shprehur keqardhje për rastin e vdekjes së të riut Angel Petkovski nga lagja Gjorçe Petrov, si pasojë e së cilës dy ditë rresht u shkaktuan trazira……….

Misioni i OSBE-së në Shkup, përmes një komunikate me shkrim, ka shprehur keqardhje për rastin e vdekjes së të riut Angel Petkovski nga lagja Gjorçe Petrov, si pasojë e së cilës dy ditë rresht u shkaktuan trazira. Duke bërë thirrje për qetësi dhe stabilitet, ambasadori i OSBE-së, Bret, thekson se fjala e fundit në këtë akt penal i takon organeve gjyqësore.

“I ndjekim ngjarjet me shqetësim të madh. E dimë se autoritet po kryejnë procedurat e ekspertizës së këtij rasti dhe për këtë është me rëndësi të veçantë që çështjet t’iu lihen organeve gjyqësore hetuese. Ju bëjmë  thirrje qytetarëve që të solidarizohen me familjen e viktimës dhe të bashkohen në momente të vështira. Asnjë komunitet nuk duhet të bartë përgjegjësi kolektive për një vepër individuale”, - thuhet në deklaratën e shefit të misionit të OSBE-së.

Nga ana tjetër, për komitetin e Helsinkit, vrasja e të riut Angel Petkovski rikujton rastin e Muhamedali Jasharit nga Kondova, i cili humbi jetën në oborrin e shkollës, duke shpëtuar shokun e tij nga dhuna.

Njëherit nga ky komitet vlerësojnë se dhuna dhe urrejtja mes të rinjve eskalon dhe nuk vërehen tendenca për rënie. Gjithashtu Komiteti i Helsinkit thekson se në incidentin e dy ditëve më parë, nga ana e autoriteteve  policore është shkelur edhe liria e informimit publik edhe pse kjo organizatë ka arritur të sigurojë materialet dhe incizimet e nevojshme për regjistrimin e incidentit në fjalë. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)