Maqedoni

Naser Zyberi për ngërçin në kuvend: Shumica të insistojë në rrespektimin e rregullores

01.04.2017 15:24

Për të dalur nga ky ngërç në të cilin është futur parlamenti nevojitet vullnet politik i palëve e cila qartë shihet se mungon, thotë eksperti juridik Naser Zyberi...

Në një situatë të këtillë shumica e re parlamentare duhet me këmbëngulje të kërkojë respektimin e rregullores me qëllim që të mos zvarritet procesi. 
 
“Në situata të këtilla shumica parlamentare duhet të jetë më kompakte dhe më këmbëngulese që ta detyrojë pakicën parlamentare të respektojë rregulloren për punën e parlamentit. Këtë mund ta bëjë në disa mënyra. Mënyra e parë është që shumica parlamentare të mos bëhet pjesë e atij debate dhe atij cirku. Shumica parlamentare mjafton që ta prezentojë qëndrimin e vet për çështjen dhe detyrimisht të kërkojë permanent që deputetët të mos lejohen të diskutojnë jashta pikave të rendit ditës që kryesuesi me seancën të detyrohet që ta respektojë rregulloren për punën e parlamentit. Nëse nuk arrihet kjo të kërkohet koordinim me kryesuesin e seancës dhe të merren vendime të cilat do të jenë në funkcion të respektimit  të rendit të ditës”, Naser Zyberi, ekspert juridik.
 
Zyberi pret një presion të vazhdueshëm nga faktori ndërkombëtarë sepse  nuk duan që Maqedonia të mbetet një hapesirë ku nuk do të vlejnë normat ligjore.
 
“Ardhja e Mogerinit, komesarit Han e kryesuesit të KE-së Donald Tusk dhe të tjerëve që do të vijnë janë të gjithë në funkcion të krijimit të një disponimi ndërkombëatarë për tu respektuar kushtetuta e vendit dhe ligji dhe për t’i bë presion aktorëve të cilët e pengojnë që ta respektojnë kushtetutën. Kuptohet që ky presion do të jetë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë sepse bashkësia ndërkombëtare, këtu në radhë të parë SHBA, BE dhe NATO, nuk duan që Maqedonia të mbetet një hapsirë e padefinuar në të cilën nuk vlejnë rregullat e shtetit të cilat vetë i kemi vendosur”, shtoi Zyberi.
 
Sipas Zyberit në pamundësi për ta përmbyllur seancën konstituive, Maqedonia rrezikon që të mbetet pa asnjë pushtet legjitim, duke pasur parasyshë se ka qeveri në dorheqje dhe ka pushtet vendorë të cilit i skadon afati. Gjëra të tilla sipas tij nuk tolerehohen për një vend pretendent për BE dhe NATO.
 
NAIM RAMADANI