Maqedoni
Kriza politike, OKB: Zgjidhje të shpejtë në harmoni me kushtetutën, Donalt Tusk, nesër në Shkup
02.04.2017 13:01
OKB dëshiron zgjidhje të shpejtë të krizës politike, në harmoni me rrendin kushtetues...

Nënsekretarja e OKB-së dhe administratore e UNDP-së, Helen Klark, në intevistën për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet duhet të respektojnë kushtetutën, ligjet zgjedhore dhe vullnetin e shumicës së votuesve.
“Disa herë duhet më shumë kohë për t’u formuar qeveria. Këtu psh. zgjedhjet u mbajtën para tre muaj. Nga këndvështrimi i OKB-së, ne me të vërtetë duam të shohim zgjidhje të shpejtë të krizës në harmoni me rrendin kushtetues, pasi votuesit presin që vullneti i tyre të respektohet. Gjithsesi ky vend ka aspirata për anëtarësim në BE dhe NATO. BE dëshiron të shikoje se respektohen të gjitha ligjet zgjedhore gjatë dhe pas zgjedhjeve. Është në interes të vendit që të gjejë zgjidhje për dalje nga kriza politike sa më shpejt që të jetë e mundur, në harmoni me rrendin kushtetues”, tha Helen Klark, nënsekretare e OKB-së.
Shtytje procesit pritet t’i jap kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili nesër vjen në Shkup, për të takuar presidentin Gjorge Ivanov, i cili refuzon t’i ndajë mandatin kandidatit të shumicës parlamentare për mandatar, duke u shndërruar kështu në frenuesin kryesor të transferit të qetë të pushtetit.
Mesazhet e kreut të Këshillit Evropian, pritet të jenë në vijë me porositë që solli, pak kohë parë përfaqësuesja e lartë e BE-së Frederika Mogerini dhe komisioneri për zgjerim Johanes Han, por të përforcuara me sanksione të mundshme për politikanët e inkriminuar që shkelin edhe rrendin kushtetues për të pamundësuar transferin e qetë të pushtetit, përfshi vet kreut të shtetit.
Kjo është vizita e tretë e kreut të Këshillit Evropian, Donald Tusk, në Maqedoni, brenda dy vitesh.
SHPËTIM NUREDINI
