BDI, VMRO DPMNE

BDI dhe VMRO në përfundim të programit për qeverinë

21.05.2014 20:11

Grupet negociuese për formimin e Qeverisë re nga BDI dhe VMRO DPMNE, janë në përfundimin e sipër të hartimit të programit qeveritar…………...

Grupet negociuese për formimin e Qeverisë re nga BDI dhe VMRO DPMNE, janë në përfundimin e sipër të hartimit të programit qeveritar. 

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se grupi i BDI-së është koncentruar që të fusë në programin qeveritar të gjitha projektet e premtuara gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa ndarja e resorëve do të bëhet në fund, sipas marrëveshjes që do të arrijnë grupet negociuese. 

“Grupet negociuese po bisedojnë atë që kemi thënë në harmonizimin e platformës dhe krijimit të programit qeveritar dhe natyrisht veç fillimi i fazës së tretë, ndarjes së resorëve. Për ne është më me rëndësi se si do të koncipuohet programi qeveritar, pasi pavarësisht se kush cilën ministri do ta udhëheq, ajo ministri do të duhet të realizon programin dhe projektet të cilat do të futen në programin qeveritar. Ashtu që ju mund të keni ministritë më të mira, mirëpo nëse ju nuk i keni projektet në program të qeverisë, ato nuk mund të realizohen” , deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Osmani përgënjeshtroi zërat e disa mediave se është arritur marrëveshje edhe për ndarjen e ministrive. Nuk ka asnjë të vërtetë, as rreth emrave që po qarkullojnë si kuadro të mundshëm, që do të drejtojnë këto ministri, thekson Osmani.

“Janë spekulime, janë të pabaza, për shkak se deri më tani është biseduar kryesisht në harmonizimin e projekteve. Ju e dini që ne kemi dalë me diku 1081 projekte në fushatë para zgjedhjeve dhe ato duhet të bëhen pjesë e programit qeveritar. Nuk mund të realizohen projekte pa u futur në programin qeveritar, që të ketë bazë, që të shfrytëzohen mjetet buxhetore në realizimin e këtyre projekteve”, tha Osmani.

Grupet negociuese për formimin e qeverisë kanë edhe 18 ditë kohë për të rënë dakord që mandatari, i cili në këtë rast është kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, brenda afatit ligjor prej 20 ditësh, të prezantojë para Kuvendit programin qeveritar së bashku me përbërjen qeveritare. Kuvendi e zgjedh qeverinë me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. (Shpëtim Nuredini, TVM2)