Botë
Zgjedhjet në Ekuador, vendi zhytet në kaos e paqartësi
03.04.2017 10:56
Ekuadori është zhytur në paqartësi dhe kaos pas zgjedhjeve presidenciale të së dielës...

Rezultatet e para projektuan fitoren e kandidatit të partisë në pushtet, ish-zëvendëspresidentit Lenin Moreno, i cili ka 51.2% të votave, por sfiduesi i tij Guillermo Lasso ka filluar festimet, pasi një “exit poll” parashikoi fitoren e tij.
Lasso kërkon një rinumërim dhe i bëri thirrje mbështetësve të dilnin nëpër rrugë për të mbrojtur votën, duke bërë akuza për manipulime. Mbështetësit e kandidatit konservator u përleshën me policinë në rrugët e Guajakilit, duke gjuajtur me sende të ndryshme efektivët e duke i vënë zjarrin disa objekteve.
Nëse Moreno do të shpallet fitues , kjo do të mundësojë vazhdimësinë e udhëheqjes 10-vjeçare të së majtës, që nisi me Presidentin Rafael Correa në vitin 2007. Fitorja e mundshme e Morenos u mirëprit nga themeluesi i Uikiliksit, Julian Assange, pasi rivali i tij Lasso ishte zotuar se do t’i hiqte të drejtën e azilit në Ambasadën Ekuadoriane të Londrës, në rast fitoreje. Në një postim në Tuitter, Assange e fton kandidatin presidencial të largohet nga vendi brenda 30 ditëve, duke iu referuar afatit të vënë prej tij për heqjen e të drejtës së azilit.
