Maqedoni
Bushati: Nuk ka “Platformë të Tiranës”, deklarata e 3 partive, buron nga MO dhe Përzhina
03.04.2017 14:15
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati ka rikujtuar politikanët maqedonas se është vështirë të gjejnë fqinj më miqësor ndaj Maqedonisë se Shqipëria...

Në një intervistë për portalin Euractiv, shefi I diplomacisë shqiptare, përkujton se Shqipëria ndër të parat e njohu Maqedoninë dhe kurrë nuk e ka vënë në dyshim identitetin, gjuhën dhe integritetin territorial të saj. Bushati thekson se Maqedonia po përjeton një krizë të thellë të demokracisë. Dhe ka tendenca nga VMRO për të transformuar këtë krizë demokratike në një krizë ndëretnike, duke akuzuar madje edhe Shqipërinë me përmendjen e Platformës së Tiranës.
“Nuk ka një platformë të Tiranës, por një dokument që është shkruar nga tre të katërtat e partive politike shqiptare që janë të pranishme në parlamentin aktual të Maqedonisë e që ne e kemi mbështetur, sepse shohim në këtë dokument një përpjekje të qartë të Shqiptarëve, së pari për ta mbajtur Maqedoninë e bashkuar, së dyti për të kërkuar një harmoni më të plotë ndëretnike në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, së treti për të zbatuar Marrëveshjen e Përzhinës, së katërti për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së duke normalizuar marrëdhëniet me Greqinë, me Bullgarinë dhe sigurisht me Shqipërinë dhe Kosovën si fqinjë të Maqedonisë”, thotë Bushati.
Sipas tij, elementi më i rëndësishëm i deklaratës së partive shqiptare, ka të bëjë me zytarizimin e gjuhës shqipe. Kjo sipas kritikeve do të kërkonte ndryshime të rendit kushtetues. Por sipas Bushatit, kërkesa për zyrtarizimin e shqipes, është e drejtë që buron nga MO, por që asnjëherë nuk është zbatuar si duhet.
“Nuk e di se si ky argument, të vendosurit e shqipes si gjuhë zyrtare, qenka i barabartë me federalizimin e një vendi. Por nëse i referohemi Marrëveshjes së Ohrit dhe burimit të sherreve midis maqedonasve dhe shqiptarëve të Maqedonisë, është e qartë që zbatimi i pikave të kësaj marrëveshjeje ka qënë i ulët. Ka pasur edhe një tendencë nga Gruevski dhe të tjerë për t’i konsideruar shqiptarët si punëtorë sezonal në tokën e tyre. Dhe nuk ka pasur përpjekje serioze për të garantuar harmoninë ndëretnike në vend”, thotë Bushati.
Shefi i diplomacisë shqiptare shqiptare, përkujton se 6 vitet e fundit, Maqedonia ka pasur një shoqëri të ndarë nga pikëpamja etnike. Por përfshirja e deklaratës së partive shqiptare, në kushtetutë dhe në kuadrin ligjor të vendit, do të sillte rezultate më pozitive për të dyja grupet etnike kryesore, maqedonasit dhe shqiptarët.
“Duhet zvogëluar hendeku që ekziston ndërmjet dy komuniteteve. Mënyra në të cilën janë bërë investimet, mënyra në të cilën janë shpërndarë burimet dhe pasuritë, mënyra sesi grupet etnike janë përfaqësuar në jetën publike, e gjitha kjo ka nevojë të rregullohet në mënyrë graduale”, thotë Ministri i Jashtëm shqiptar , Ditmir Bushati . Por kjo sipas tij, nuk bëhet duke ftuar njerëzit të thërrasin në rrugë kundër kundër identitetit të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, kundër NATO-s , BE-së dhe SHBA-ve.
MERITA GASHI
