TRAZIRA-SHKUP

Tensione në Gjorçe Petrov, 27 të arrestuar

21.05.2014 19:58

Mbrëmë nga MPB-ja njoftuan se pas protestave janë arrestuar gjithsej 27 persona. Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, tha se protesta ka qenë e qetë dhe pa shkelje të rëndë të ligjit……

Policia mbrëmë në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, për të shpërndarë turmën e protestuesve që ishte mbledhur në shenjë revolte pas vrasjes së maturantit Angel Petkovski. Policisë iu desh të ndërhynte, pasi turma e mbledhur rreth orës 18:00, pretendonte të shpërthejë kordonin policorë drejt komunës së Sarajit dhe drejt qendrës së Shkupit.

Mbrëmë nga MPB-ja njoftuan se pas protestave janë arrestuar gjithsej 27 persona.  Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, tha se protesta ka qenë e qetë dhe pa shkelje të rëndë të ligjit.

“Gjatë intervenimit janë arrestuar gjithsej 27 persona, prej tyre 16 janë dërguar në stacionin policor në Kisella Vodë, ndërsa 11 në stacionin policor në Karposh dhe pas dokumentimit të rasteve, kundër tyre do të parashtrohen kallëzime adekuate”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Sipas të dhënave të MPB-së, protestuesit disa herë kanë gjuajtur me gurë dhe shishe xhami ndaj policisë. “Kemi të dhëna për disa polic të lënduar lehtë, si dhe për disa vetura të MPB-së, të dëmtuara nga turma e protestuesve”, tha Kotevski.

Në protesta të pranishëm kanë qenë kryesisht persona të rinj të moshës prej 15 deri në 18 vjeçare dhe anëtarë të tifo-grupeve të ndryshme. Një pjesë e tyre kanë bartur fantome në kokë dhe shkopinj bejsbolli, thonë nga MPB. (Sanije Kasami, TVM2)