50 të vdekur nga vërshimet në Serbi, Bosnjë dhe Kroaci
Për shkak të numrit të madh të viktimave nga vërshimet në Serbi, Qeveria serbe prej sot shpalli tre ditë zie....

Për shkak të numrit të madh të viktimave nga vërshimet në Serbi, Qeveria serbe prej sot shpalli tre ditë zie. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se pritet që të premten të ndërpritet gjendja e jashtëzakonshme në rajonet e prekura nga vërshimet.
Në seancë qeveritare, Vuçiq theksoi se gjysma e viktimave janë mbytur nga ujërat e ardhura. Në territorin e Serbisë deri tani janë evakuuar 31.873 persona nga rajonet e rrezikuara, janë vërshuar 2.260 objekte, ndërsa janë rrezikuar edhe 1.763, kumtoi mbrëmë Ministria serbe e Punëve të Brendshme. Vetëm në Beograd janë hapur 40 qendra kolektive të strehimit, me më shumë se 4,000 njerëz nga zonat e rrezikuara të përmbytjeve.
“Autoritetet e vendit kanë organizuar kapacitetet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve sidomos fëmijëve, deri më tani janë regjistruar 10 strehimore, ku u ofrohet ndihmë materiale dhe psikologjike banorëve”, deklaroi përfaqësuesi i strehimores, Drangan Andriq.
“Ne pritëm orë të tëra që të na evakuojnë përmes helikopterëve, përparësi kishin fëmijët e vegjël, por në përgjithësi organizimi ishte tejet i dobët”, u shpreh një banorë.
Kryebashkiaku i Beogradit, Sinisha Mali, tha sot se kryeqyteti serb të premten e ardhshme do pësojë një katastrofë edhe më të madhe me vërshimet që kanë kapluar qytetin. Kjo sepse pritet të rritet niveli i ujit të Savës dhe Danubit. Vala e madhe pritet deri të premten dhe nëse ajo kalon me sa më pak pasoja, mund të themi se ne kemi përfunduar me sukses mbrojtjen e Beogradit”, tha kryebashkiaku i Beogradit.
Në Bosnjë, pas tërheqjes së ujit, në sipërfaqe të Priedorit dolën bomba,mina dhe granata. Në një lagje në Sarajevë, uji ka sjellë frigorifer me 9 bomba, me ç’rast policia menjëherë është informuar. Qendra për dislokim të minave bëri të ditur se të gjitha llojet e eksplozivëve do të largohen.
Vende më të rrezikuara janë: Tuzla, Doboja, Magllaja, Ollova dhe Unskoja. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos mbledhin vetë minat, por të thërrasin ekspertë.
Qeveria e Kroacisë me propozim të drejtorit të Drejtorisë Shtetërore për Mbrojtje dhe Shpëtim, sot shpalli "katastrofë" në rajonin e Zhupanisë së Vukovarit-Sremit, e cila është kapluar nga vërshimet.
“Gjithçka është shkatërruar, nuk kemi pasur mundësi që të evakuojmë sendet me vlerë, kemi pësuar dëme të mëdha materiale”, tha Dusko Josiç nga Njësiti për Evakuim.
“Kemi marrë ushqim të nevojshëm, tani po evakuohemi, siç e shihni edhe vetë, shtëpitë janë shkatërruar tërësisht”, theksoi një banor.
Drejtoria Shtetërore për Mbrojtje dhe Shpëtim në Vukovar, udhëheq me forcat operative dhe i koordinon aktivitetet e pjesëmarrësve të tjerë në operacionet për shpëtim dhe mbrojtje, ndërsa është e obliguar edhe për informim. Drejtoria e kontrollon edhe zbatimin e masave dhe aktiviteteve për mbrojtje dhe shpëtim dhe kryen mobilizim për nevojat e sistemit për mbrojtje dhe shpëtim.
Ndërkohë, sekretari gjeneral i KB-ve, Ban Ki Mun, bëri të ditur se Kombet e Bashkuara janë të përgatitur për të ofruar ndihmë shtesë, që nënkupton ujë për pije, ushqim dhe medikamente. (Flutra LATIFI, TVM2)
