Maqedoni
Deklaratat e Bushatit dhe Ramës, MPJ: Provokim serioz, ndërhyrje në punët e RM-së
04.04.2017 14:43
Ministria e Punëve të Jashtme, ka reaguar sic thonë, në “deklaratat dhe komentet e shpeshta fyese nga persona zyrtar të Republikës së Shqipërisë...

Ministria e Punëve të Jashtme, ka reaguar sic thonë, në “deklaratat dhe komentet e shpeshta fyese nga persona zyrtar të Republikës së Shqipërisë drejtuar Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.
Nga MPJ njoftojnë se këto shqetësime i janë përcjellë edhe ambasadorit shqiptar në Maqedoni.
“Deklaratat e kryetarit të Qeverisë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për binacionalitet dhe ndryshim të rregullimit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, janë involvim i hapur në punët e brendshme të Republikës Maqedonisë. Etiketimi i maqedonasve si ‘sllavomaqedonas’ është fyes dhe diskriminues ndaj maqedonasve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Apelojmë të ndërpriten provokimet, të respektohet sovraniteti dhe të punohet në plan të fqinjësisë së mirë, për të mirën e të gjithëve në rajon”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.
MPJ e Shqipërisë: Qëndrojmë në pozicionin tonë kushtetues
Nga ministria e jashtme e Shqipërisë ndërkohë, thonë se nuk kanë ndryshuar qëndrimet edhe pas reagimeve të Shkupit zyrtar.
“Pozicioni i Shqipërisë në këtë çështje është i qartë. Nuk kemi asgjë për të shtuar. Shqipëria do të qëndroj në pozicionin e saj Kushtetues”, thonë shkurt Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Dhe Kushtetuta e Shqipërisë është po ashrtu shumë e qartë. “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”, thotë neni 8 I Kushtetutës. Por zyrtarët e lartë shqiptarë kanë ripërsëritur në mënyrë të vazhdueshme se interesimi për të drejta e shqiptarëve, që buron nga kustetuta, nuk do të thotë në asnjë mënyrë ndërhyrje në punët e brendëshme të fqinjëve.
Edhe deklarata e shefit të diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati që shkaktoi thirjen në MPJ të ambasadorit Reka, ishte shumë e qartë. Shqipëria nuk synon të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, Tirana nuk ka përgatitur asnjë platformë politike e cila do të koordinonte veprimet e partive politike shqiptare në Maqedoni.
Shqipëria është vendi i vetëm i cili nuk i ka konteston asnjëherë Maqedonisë identitetin dhe integritetin territorial. Por edhe përkundër këtyre deklaratave, vazhdojnë akuzat e shkupit zyrtar dhe VMRO-së për përzierjen e Shqipërisë në Punët e Brendëshme të Maqedonisë.
SANIJE DURAKU
