Maqedoni
Tetova më e pastër pa “Jugohromin”;‘Eco guerrila’: Të përgjigjen penalisht për ndotjen
04.04.2017 15:23
Në bazë të matjeve të kryera nga ana e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë muajit Mars 2017...

Në bazë të matjeve të kryera nga ana e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë muajit Mars 2017 Tetova pa Jugohromin ka qenë dukshëm më e pastër krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara kur ky ndotës ka punuar.
Sipas “Eco guerrillës” ndotja mesatare me PM10 gjatë muajit Mars 2017 në Tetovë ka qenë 39 mikrogram në metër kub, pra Tetova pa Jugohromin ka qenë një ndër qytetet më pak të ndotura në Maqedoni, krahasuar me vitet e kaluara kur ngjiteshim në pozitat më të larta në Evropë.
Eco Guerilla kërkon që ”Jugohrom Ferroalloys” të përgjigjet para drejtësisë për ndotjen e ajrit, për ta detyruar të dëmshpërblejë të gjithë të prekurit nga kjo ndotje, për të cilën nuk ka paguar asnjë gjobë.
“Jemi duke punuar me ekspertë juridikë për të nxjerrë ndotësin ”Jugohrom Ferroalloys” para drejtësisë për ndotjen e ajrit që i ka shkaktuar qytetarëve të Tetovës gjatë gjithë kësaj periudhe, për ta detyruar të dëmshpërblejë të gjithë të prekurit nga kjo ndotje, për të cilën nuk ka paguar asnjë gjobë. Njëkohësisht do të parashtrojmë kallëzim penal edhe kundër drejtorit të përgjithshëm të Jugohromit, Vasil Skenderovski, si dhe kundër kryetarit të sindikatës së Jugohromit, Bajram Amiti, për shtytje me dashje të kryerjes së veprës penale ”ndotje e mjedisit jetësor dhe natyrës” nga neni 218, paragrafi 1 dhe 2 i Kodit penal të RM , vepër e cila është e dënueshme me së paku 5 vjet burg”, shprehet Arianit Xhaferi nga OJQ “Eco Guerilla.
Eco Guerilla i kërkon ministrisë së ekologjisë dhe Qeverisë së Maqedonisë që të vazhdojë ta mbajë të mbyllur ndotësin ”Jugohrom Ferroalloys” derisa i njëjti nuk vendos filtrat e duhur.
VISAR SADIKI
